Vedat Muriqi e ka mbyllur me buzëqeshje mbrëmjen ndaj Shakhtar Donetskut, por jo pa shprehur pakënaqësinë për një vendim të gjyqtarit Michael Oliver.

Sulmuesi kosovar ishte vendimtar në triumfin 1-0 të Fenerbahces, duke realizuar golin e vetëm të takimit në minutën e 56-të, në ndeshjen e zhvilluar në “Stamford Bridge”, në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.


Por, para se të shënonte golin e fitores, Muriqit iu anulua një gol në minutën e 17-të. Vendimi erdhi pas rishikimit me VAR, ndërsa arsyetimi i gjyqtarit anglez e la të habitur përfaqësuesin e Kosovës.

Sipas Muriqit, fillimisht Oliver i kishte thënë se goli ishte anuluar për prekje me dorë, ndërsa më vonë i kishte treguar se nga VAR-i i kishin komunikuar për një faull ndaj kundërshtarit.

Muriqi ka zbuluar të gjithë bisedën me gjyqtarin, duke treguar se sa i bindur ishte që nuk kishte bërë asnjë prekje me dorë.

“E pyeta gjyqtarin për golin dhe ai tha se 'Pashë prekje me dorë', si arsye për anulimin e tij. Isha shumë i sigurt se nuk e kisha prekur me dorë. Kjo është arsyeja pse mendova se ishte padyshim një gol”.

“Pastaj, gjatë daljes në fushë për pjesën e dytë, e pyeta sërish, 'Pse e anuluat golin?' Ai tha, 'E anulova për prekje me dorë, por më thanë nga VAR se ishte një faull’”.

“Kështu që e pashë gabimin dhe po, u dëshpëruam pak. Por u habita që një gjyqtar me përvojë në Premier League do të jepte një faull për këtë”, ka deklaruar Muriqi.

Në fund, polemikat për golin e anuluar nuk e penguan sulmuesin kosovar të bëhej heroi i ndeshjes. Ai realizoi golin vendimtar dhe u shpall lojtari më i mirë i takimit./Telegrafi/