Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, në përmbyllje të ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, vlerësoi progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, duke theksuar se rajoni po hyn në një fazë të re të zgjerimit.

Ajo u ndal veçanërisht te perspektiva e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke deklaruar se 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë nëse vendi vijon me zbatimin e reformave.


“Ky moment është një moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Natyrisht që në të gjithë rajonin po ndodhin zhvillime të rëndësishme, të cilat e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës për investuesit. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, në vitin 2013, BE-ja po përgatitet që të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë pikërisht nga Ballkani Perëndimor. Michel, keni të drejtë, ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030 dhe, edhe një herë tjetër, kishit të drejtë.

Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit që verën e ardhshme. Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit.

Ne gjithashtu kemi parë edhe Maqedoninë e Veriut të përshpejtojë reformat në kuadër të Planit të Rritjes dhe të përmirësojë nivelin e përgatitjes për anëtarësimin në BE, ndërsa në Serbi, lëvizja studentore ka fituar zgjedhjet me thirrjet e saj për transparencë, shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Kos.

Ndryshe, Konferenca Ndërkombëtare e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor u mbajt nën kujdesin e Qeverisë Shqiptare dhe në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe ajo kishte për moto “Një kufi i ri investimesh – Ballkani Perëndimor”.

Në konferencë morën pjesë mbi 600 investitorë, drejtues biznesesh, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe zyrtarë të lartë nga BE-ja dhe rajoni.

Fokusimi i diskutimeve ishin energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, infrastruktura digjitale, teknologjia, turizmi, kapitali njerëzor, zinxhirët industrialë dhe Plani i Rritjes i Bashkimi Evropian.