Vendosni fjalën kyçe....

Manja akuzon Shehajn për vilën dhe kriptovalutat, Kapri i kujton përgjimet me mafiozë


Deputeti socialist Ulsi Manja ka akuzuar kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për transaksione të dyshimta me pasuri të paluajtshme dhe kriptovaluta, duke i kërkuar që këto çështje t’i sqarojë gjatë protestës së 28 nëntorit.

Manja iu referua vilës në Forte dei Marmi, Itali, për të cilën Shehaj është kallëzuar në SPAK për pastrim parash. Sipas deklarimeve të pasurisë, vila figuronte me vlerën 2,9 milionë euro në vitin 2021, ndërsa në vitin 2025 Shehaj deklaroi se e kishte shitur për 15 milionë euro.

“Nuk dola këtu për Agron Shehajn, por dola në respekt të protestuesve, sepse kanë shansin që me datë 28 nëntor ta pyesin Agron Shehajn si është historia që e bleu vilën 2 milionë euro, e shiti 15 për 3 muaj, dhe fitoi 13 milionë euro. Më 28, jam shumë kurioz ta di a do u tregosh atyre protestuesve që i ke thirrur aty, ata punonjësit e tu të call centerave këtë truk ekonomik?”, deklaroi Manja.

Socialisti ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi aktivitetin e Shehajt në tregun e kriptovalutave, duke pretenduar se ai ka qenë i përfshirë në blerje dhe këmbime të tyre.

Manja përmendi edhe disa e-mail-e dhe prova digjitale, duke kërkuar që kreu i Mundësisë të japë sqarime për aktivitetin e tij të biznesit.

“Kam një pyetje tjetër, a ke blerë dhe këmbyer kriptovaluta ti në aktivitetin tënd se ne dijeninë time me sa më thonë ti nuk ke konkurrent në këtë fushë. Mos vallë në ato e-mailet e ambasadës amerikane dhe atje ku ishin provat digjitale ka mbetur ndonjë cep i historisë tënde kur erdhe për të bërë biznes në Shqipëri me paratë e s’dihet se kujt ke ardhur, se dhe kjo do jetë e fshehur atje”, u shpreh Manja.

Ai vijoi me akuza ndaj Shehajt, duke i kujtuar edhe fillimet e tij në politikë dhe duke e akuzuar për mashtrim të qytetarëve.

“Këto pres unë që me datë 28 ti t’ia tregosh protestuesve. Se kur ke ardhur këtu si deputet rishtas nuk dije as shqip o Gone, shqip. Gjuhën shqipe e ke mësuar këtu duke mashtruar qytetarët shqiptarë, merr lekë e ço në Itali. Këto mos harro ti me datë 28, të tjerat shohim e bëjmë”, deklaroi deputeti socialist.

Në debat ndërhyri edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili akuzoi Manjën për shantazh ndaj deputetëve dhe iu referua përgjimeve të dosjes së Dibrës, ku sipas tij, socialisti është kapur në komunikime me persona të lidhur me krimin.

“E pabesueshme çfarë po ndodh në këtë Kuvend, se si përfaqësuesit e kësaj mazhorance janë gati të shpallin autokraci të hapur. Vjen Manja dhe thotë: ‘Pavarësisht se çfarë vendos gjykata, ne jemi parlament dhe bëjmë çfarë të duam.’ Kur ta thotë këtë Manja, që është kapur në përgjime duke folur me mafiozë në dosjen e Dibrës, hajde ndaje këtë gjë. Në fakt, paria e Dibrës ka pasur një shprehje, Ulsi: ‘Në të mallkoftë njeri, kurrë mos përfundofsh një Ulsi’”, u shpreh Kapri.

Deputeti i Mundësisë e akuzoi Manjën se po përdor kallëzimet dhe çështjet gjyqësore për të intimiduar deputetët, duke paralajmëruar se kjo përpjekje nuk do të ketë sukses.

“Si mund të dalë kreu i Komisionit të Ligjeve dhe të shantazhojë një deputet? Merresh ti me kripto? Tentoni të na shantazhoni me padi, një padi që e keni paguar sa një kullë. Nuk do t’ia dilni dot. S’keni për t’ia dalë dot. Duhet të shqetësohesh se po bëhen hetime”, deklaroi Kapri.

Ai iu referua gjithashtu përgjimeve të pretenduara, duke përdorur tone të ashpra ndaj Manjës dhe duke e cilësuar atë si të komprometuar.

Në përgjigje, Manja ironizoi Kaprin, duke e akuzuar se në politikë nuk bën gjë tjetër veçse i shërben Agron Shehajt.

“Të marrësh ty seriozisht, që të vetmen punë në politikë që di të bësh është t’i mbash çantën Agronit dhe t’i çosh byrekë te zyra kur është i përjashtuar nga Kuvendi, është sikur të kesh dy fundshpine që ta mbash e një ta çash. Ik or djalë, shiko punët e tua se më 28 nëntor nuk do të të marrin seriozisht as ata që ke në shtëpi, jo më qytetaria e Tiranës. Ty dhe Shehajt nuk iu merr njeri seriozisht, këtë e di mirë unë”, u shpreh Manja.