Kuvendi u mblodh të enjten në një seancë plenare ku pritet të votohet projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, ndërsa opozita ka paraqitur 40 amendamente — 28 nga Partia Demokratike dhe 12 nga Partia e Lirisë. Në rendin e ditës janë gjithashtu akti normativ për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve, si dhe lirimi nga detyra i kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Seanca u shoqërua me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, të përqendruara kryesisht te akti normativ për tubimet, veprimet e policisë gjatë protestave dhe kërkesa e demokratëve për zgjatjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kreu i PD-së mori fjalën disa herë dhe pati përplasje të vazhdueshme me deputetë të mazhorancës.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dhe deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, u përfshinë në debat lidhur me aktet normative për tubimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë protestave. Demo ngriti akuza për përdorimin e minorenëve në akte dhune dhe pyeti nëse Partia Demokratike është pas organizimit të grupeve të dhunshme. Korreshi i kërkoi ministrit që, nëse disponon informacione për persona të përfshirë, të procedojë me arrestimin e tyre.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesshëm të aktit normativ për protestat shkaktoi një tjetër konflikt mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe deputetit socialist Ulsi Manja. Tabaku kërkoi nga nënkryetarja e Kuvendit që të ndërpriste diskutimet dhe të mos hidhte në votim aktet, duke argumentuar se Parlamenti duhet të respektojë vendimmarrjen e Kushtetueses. Manja kundërshtoi, duke thënë se Kuvendi ka kompetencë kushtetuese për të shqyrtuar aktin e miratuar nga Këshilli i Ministrave brenda afatit 45-ditor.
Gjatë seancës pati gjithashtu replika të ashpra personale: kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti socialist Erion Braçe shkëmbyen replika, me Braçen që u shpreh ironikisht për Berishën dhe me Berishën që iu përgjigj duke bërë aludime ndaj veshjes së Elisa Spiropalit. Berisha gjithashtu komentoi ndryshimet e ndërmarra nga qeveria në formën e trotuareve, sipas tij për të penguar përdorimin e pllakave nga protestuesit.

