Kryedemokrati Sali Berisha dhe ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, janë përfshirë në replika të ashpra në Kuvend ditën e sotme.
Gjithçka nisi pas akuzave të Berishës, i cili tha se Gonxhja ka hyrë në lice pa meritë, por pasi i ati i tij dorëzoi te diktatori Enver Hoxha një pikturë të benzit të tij, të supozuar sipas ish-kryeministrit, si të pikturuar nga Gonxhja.
“Si u bë piktor ky. Prisni se po ju lexoj pak. ‘Doktor, si shkoi Blendi Gonxhja për pikturë, se piktor nuk u bë kurrë. Blendi Gonxhja hyri në Lice duke vizatuar makinën e Enver Hoxhës. Juria e kishte rrëzuar kandidaturën e tij, por përmes gazetave që shkruanin se Blendi kishte vizatuar makinën e xhaxhit Enver, i ati i tij, Agimi, arriti ta fuste Blendin në lice’”, tha mes të tjerash Berisha.
Gonxhja nuk i kundërshtoi deklaratat e Berishës dhe tha se veç pasionit për të pikturuar makina, që theksoi që e kishte që 3 vjeç, shtoi se i kishte dhuruar Enver Hoxhës në moshën 8-vjeçare një portret të Qemal Stafës.
“Unë kam vizatuar që 3 vjeç, prandaj në Lice nuk mund të hyja me mik. Kisha pasion të vizatoja makinat. Benzi që vinte në Palorto në atë kohë ka qenë fiksim i një fëmije dhe sigurisht që e kam vizatuar. Një benz… unë nuk kam asgjë për të fshehur në jetë, sepse po ju tregoj historinë e një fëmije 8 vjeç. Një portret i Qemal Stafës ka dalë edhe në revistën pioneri, sepse ka qenë një portret shumë i bukur që unë në 1978 ia kam dhuruar Enver Hoxhës. Një fëmijë 8 vjeç nuk e dinte në atë kohë që ishte diktator. Edhe kush na tregon këtu, një sekretar partie i rëndomtë. Një zhele prej 37 vitesh që nuk i shporret këtij vendi nga sytë. Por për respekt të qytetarëve, Gonxhja ka hyrë në lice dhe në akademine e arteve me meritë. Një artist që është marrë me jetën e vet dhe nuk i ka hyrë kurrë në hak askujt”, tha mes të tjerash Gonxhja.