Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e shoqatave dhe grupeve studentore kundër aktit normativ të qeverisë për masat antidhunë gjatë protestave, duke vendosur pezullimin e gjobave prej 5 mijë lekësh të rinj për bllokimin e rrugëve dhe pengimin e qarkullimit të automjeteve, deri në vendimin përfundimtar të çështjes.
Ky nen është përdorur nga Policia e Shtetit për vendosjen e më shumë se 330 gjobave ndaj protestuesve. Sipas Gjykatës, dispozita është formuluar në terma të përgjithshëm dhe nuk bën dallim mes pjesëmarrësve në tubime të autorizuara dhe atyre të paautorizuara, duke krijuar paqartësi në zbatimin e saj dhe rrezikuar ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese.
“Për këtë shkak ky formulim është i tillë që lejon paqartësi gjatë zbatimit, për rrjedhojë mund të sjellë edhe pasoja serioze dhe të pariparueshme në ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese”, argumenton Gjykata.
Ndërkohë, Kushtetuesja nuk ka pranuar kërkesën për pezullimin e pjesëve të tjera të aktit normativ, përfshirë kufizimet e përkohshme për organizimin e protestave, masat ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve, si dhe gjobat nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të rinj për pjesëmarrjen në tubime të ndaluara.
Sipas Gjykatës, argumentet e paraqitura për pezullimin e këtyre dispozitave nuk janë të mjaftueshme për të provuar, në këtë fazë të procedurës, rrezikun e pasojave të rënda ose të pariparueshme ndaj të drejtave dhe lirive kushtetuese, në veçanti të lirisë së tubimit paqësor.
Akti normativ i qeverisë hyri në fuqi më 29 tetor, ndërsa shoqatat dhe grupimet studentore paraqitën kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 nëntor. Kolegji i Gjykatës nuk arriti dakordësi për pranimin ose rrëzimin e ankimit, ndaj çështja iu kalua Mbledhjes së Gjyqtarëve, e cila vendosi fillimisht pranimin e kërkesës dhe më pas shqyrtoi pretendimet për pezullimin e dispozitave.
Vendimmarrja e sotme është marrë me qëndrime të ndara. Dy gjyqtaret, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, kanë mbajtur qëndrim të kundërt me shumicën, duke argumentuar se duhej të pezulloheshin të gjitha dispozitat e kundërshtuara të paketës antidhunë.
Sipas tyre, efekti i përbashkët i masave ngre dyshime serioze për respektimin e parimit të proporcionalitetit. Gjyqtaret argumentojnë se gjobat prekin drejtpërdrejt të drejtën e pronës dhe se mundësia e ndëshkimit financiar mund t’i dekurajojë qytetarët të marrin pjesë në protesta, veçanërisht studentët dhe të rinjtë.
Në qëndrimin e tyre, ato vënë në dukje edhe faktin se në incidentet e dhunshme janë përfshirë, sipas pretendimeve, edhe efektivë të policisë, ndërsa masat ndëshkuese të aktit normativ prekin vetëm protestuesit.
“Mungesa e masave që do të konkretizonin përgjegjësitë e Policisë së Shtetit dhe të autoriteteve të tjera në përmbushjen e detyrimit pozitiv të shtetit për të garantuar zhvillimin paqësor të tubimeve i përforcon dyshimet për proporcionalitetin e ndërhyrjes në liritë dhe të drejtat kushtetuese të individëve”, thuhet në argumentimin e tyre.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur gjithashtu që të shqyrtojë me përparësi themelin e pretendimeve të kërkuesve lidhur me kushtetutshmërinë e masave kufizuese të miratuara me aktin normativ.

