Presidenti Bajram Begaj ka shfrytëzuar qëndrimin në Maqedoninë e Veriut për të vizituar edhe komunitetin shqiptar në Strugë, ku në fokus të takimeve ishin ruajtja e identitetit kombëtar, arsimi në gjuhën shqipe dhe bashkëpunimi ekonomik ndërkufitar.

Begaj, i cili ndodhet në Ohër për Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, u takua këtë të enjte me kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, përfaqësues të forcave politike dhe banorë të qytetit.

Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Strugës me bashkitë kufitare për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Vizita nuk u kufizua vetëm te takimet me drejtuesit vendorë. Begaj u ndal në fshatin Livadhi, ku nderoi kujtimin e betejës së Gjergj Kastriotit dhe vizitoi muzeun e zonës, ndërsa në shkollën fillore “Aki Dika”, ku prej dekadash mësohet në gjuhën shqipe, takoi mësues dhe përfaqësues të komunitetit.

Kreu i shtetit vlerësoi kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar ndër breza.

Pjesë e vizitës ishte edhe ura e drurit “Naser Hani” mbi lumin Drini i Zi.