Shqipëria njeh kundërshtarët në Europianin U-21, short i vështirë për kuqezinjtë e Alban Bushit

Shqipëria U-21 ka mësuar kundërshtarët me të cilët do të përballet në fazën e grupeve të Kampionatit Europian 2027, pas shortit të hedhur këtë të enjte në Beograd.
Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi është pozicionuar në Grupin B, ku do të ketë përballë tri përfaqësuese të forta të futbollit europian: Spanjën, Italinë dhe Finlandën.
Për kuqezinjtë bëhet fjalë për një sfidë të veçantë, pasi Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në fazën finale të një Europiani U-21, duke qenë një prej vendeve organizatore së bashku me Serbinë.
Shorti ka përcaktuar edhe përbërjen e tri grupeve të tjera.
Në Grupin A janë vendosur Serbia, Anglia, Franca dhe Polonia.
Grupi C përbëhet nga Portugalia, Kroacia, Greqia dhe Çekia, ndërsa në Grupin D do të garojnë Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe Belgjika.
Europiani U-21 do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027. Në Shqipëri, ndeshjet do të luhen në katër impiante: “Arena Kombëtare”, “Arena e Demave”, “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”.
Kombëtarja e Alban Bushit do të synojë të shfrytëzojë maksimalisht këtë mundësi historike, për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze përpara tifozëve shqiptarë, në një turne ku do të përballet me disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit europian për këtë grupmoshë.




