
Nga pasarelat e modës në skenën politike. Lulzime Faria, dikur konkurrente në spektaklin “Miss Shqipëria”, është shfaqur këtë të enjte përpara mediave si përfaqësuese e një grupi studentësh, duke njoftuar krijimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”, vetëm dy ditë përpara protestës kombëtare.
Tetë vite më parë, Faria ishte pjesë e edicionit të 20-të të “Miss Shqipëria”, organizuar në qershor të vitit 2018 në pedonalen e Tiranës. Ajo konkurronte me numrin 21, mes 31 vajzave nga Shqipëria dhe diaspora, duke u vlerësuar me çmimin “Miss Miqësia”.
Në daljet e mëparshme televizive, Faria ka folur për eksperiencën e saj në modeling, përballjen me bullizmin, vetëbesimin dhe ambiciet për të ndërtuar një karrierë ndërkombëtare në botën e modës.
Sot, duket se ambiciet e saj kanë marrë një tjetër drejtim, atë të politikës.
Pas 180 ditësh protestash, Faria prezantoi publikisht nismën e re politike, por la pa sqaruar disa pikëpyetje që lidhen me organizimin dhe përfaqësimin e saj. Mbetet ende e paqartë se çfarë pozicioni do të mbajë ajo në strukturat drejtuese të partisë dhe nëse grupi që përfaqëson ka marrë mbështetjen e protestuesve për këtë hap politik.
E pyetur nga gazetarët pikërisht për këtë çështje, Faria zgjodhi të largohej pa dhënë një përgjigje, duke lënë të hapur pikëpyetjen se kë përfaqëson konkretisht nisma e re politike.
Nga protesta lind partia e parë ”Të Bashkuar për Shqipërinë”!
