Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ me Armela Ferkon në SYRI TV, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e gjobave 5 milionë lekëshe për bllokimin e rrugëve gjatë tubimeve, si dhe dy aktet normative të qeverisë që lidhen me protestat.
Bozdo u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një goditje të parë ndaj nismës së mazhorancës, të cilën opozita e ka cilësuar si policore dhe në kundërshtim me liritë themelore të qytetarëve. Ai sqaroi se pezullimi prek gjobat për bllokimin e rrugëve, ndërsa dispozitat e tjera, përfshirë gjobat deri në 500 mijë lekë për ata që nuk zbatojnë urdhrin e policisë për ndërprerjen e tubimit, do të shqyrtohen në themel nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas deputetit demokrat, edhe pse Gjykata ka pezulluar vetëm një pjesë të dispozitave në këtë fazë, kjo nuk përjashton mundësinë që edhe pjesa tjetër e akteve të shfuqizohet në vendimin përfundimtar.
‘Përpara se të kalojmë te trajtimi i paketës fiskale dhe projektligjeve që do të miratohen sot nen për nen, pasi janë miratuar javën e kaluar në parim, do të doja të ndalesha te dy aktet normative që lidhen me tubimet.
Këto akte normative kanë marrë një kohë të konsiderueshme diskutimi në seancat plenare, me qëndrime të shumta nga Partia Demokratike dhe me një vendimmarrje të pjesshme nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar një pjesë të dispozitave të tyre.
Nga Partia Demokratike, këto akte janë cilësuar si akte policore, që i përkasin një shteti diktatorial dhe që të kujtojnë të kaluarën. Ne kërkuam njëzëri që ato të mos miratoheshin.
Ka pasur sot një keqkuptim dhe një keqinterpretim lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në të vërtetë, janë pezulluar gjobat prej 5 milionë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë pjesëmarrjes në tubime.
Megjithatë, shumica e gjyqtarëve nuk kanë vendosur të shqyrtojnë në këtë fazë pjesën e aktit normativ të qeverisë së Ramës që parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë për qytetarët që refuzojnë urdhrin e policisë për të ndërprerë tubimet.
Formalisht, kur një akt normativ goditet qoftë edhe pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese, nuk ka më kuptim që ai të kalojë për miratim në Kuvend. Ky ka qenë edhe qëndrimi i deputetëve të opozitës.
Sa i përket vendimit konkret, janë pezulluar sanksionet administrative për qytetarët që, sipas vlerësimit të policisë, bllokojnë rrugët. Për të gjitha rastet e tjera, Gjykata Kushtetuese ka rezervuar të drejtën ta shqyrtojë çështjen në thellësi. Kjo nuk do të thotë se edhe ato dispozita nuk mund të shfuqizohen në vendimin përfundimtar.
Megjithatë, efekti i menjëhershëm është se qytetarët nuk do të gjobiten vetëm sepse dikush vlerëson se kanë penguar qarkullimin apo kanë kryer veprime të tjera gjatë një tubimi. Ky është një hap i parë që tregon se sa e cenueshme ka qenë kjo nismë policore e mazhorancës.
Në një çështje që prek thelbësisht liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, liria për t'u tubuar dhe për të protestuar duhet të interpretohet në përputhje me Kushtetutën, e cila ka përparësi ndaj çdo akti tjetër.
Të dyja aktet normative bien ndesh drejtpërdrejt me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të majit 2021, i cili përcakton të drejtën e tubimit si një të drejtë parësore, që prevalon ndaj të drejtave të tjera.
Gjithashtu, në fjalën time iu referova tri çështjeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat lidhen drejtpërdrejt me të drejtën e tubimit.
Një prej vendimeve përcakton se protestat duhet të zhvillohen brenda rrezes së shikimit dhe përballë institucionit kundër të cilit protestohet. Pra, nuk është e arsyeshme që një protestë kundër kryeministrit të zhvendoset në Dajt, larg institucionit ku ushtrohet funksioni i tij.
Një tjetër çështje lidhet me perimetrin e sigurisë që vendoset përreth institucioneve. Në raste si ato të Gjermanisë apo Kroacisë, ky perimetër nuk shkon përtej 20 metrave nga godina e institucionit. Kjo bëhet për të shmangur abuzimet e policisë, e cila mund ta zgjerojë perimetrin e sigurisë në 500 apo 600 metra, duke e bërë praktikisht të pamundur zhvillimin e protestës, siç ndodh sot me Kuvendin.
Këto vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, sipas argumenteve të paraqitura, i rrëzojnë të dyja aktet normative. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese t'i marrë në konsideratë të gjitha këto argumente kur të shqyrtojë çështjen në themel.
Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë çështjen në thellësi dhe do të japë një vendim përfundimtar. Por unë kam përshtypjen se edhe vetë mazhoranca e di se këto akte janë problematike.
Kushtetuta parashikon nxjerrjen e akteve normative për raste emergjence, si fatkeqësi humanitare, mjedisore, përmbytje, zjarre, tërmete apo ngjarje të tjera madhore. Për këtë arsye, i kërkova ministrit të Brendshëm të më thoshte se cila prej këtyre situatave emergjente ishte verifikuar dhe pse qeveria nuk kishte pritur.
Qëllimi i mazhorancës, sipas meje, është të krijojë një efekt destabilizues dhe frikësues, përmes dhunës institucionale dhe asaj policore, edhe në prag të protestës së datës 28. Deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese të mblidhet, të japë vendimin dhe ai të zbardhet, efekti që synon qeveria mund të jetë arritur.
Megjithatë, nuk besoj se kjo do të ndodhë. Ecuria e protestave gjatë shtatë muajve të fundit ka treguar se ato nuk janë ndalur dhe nuk besoj se do të ndalen derisa të arrihet qëllimi i tyre përfundimtar.’, u shpreh Eno Bozdo në SYRI TV.
© SYRI.net
DW/ Zgjerimi i BE: Pse disa vende të BE përdorin veton kundër anëtarësimit
VIDEO/ Berisha: Blendi Gonxhe hyri në lice për pikturë vetëm se vizatoi makinën e ‘xhaxhit Enver’ kur ishte 8 vjeç
VIDEO/ Berisha: Buxheti për arsimin është qesharak, ky është vendi i vetëm në botë që ka ndërprerë doktoraturat