Në letrën e titulluar “Testamenti im moral” shkruar nje dite para se te vriste veten, kryepolici italian flet për një arkiv dixhital me dokumente të mbledhura gjatë rreth 40 viteve të karrierës së tij. Sipas tij, ato nuk përmbajnë sekrete apo mistere, por dëshmi të jetës së tij profesionale, të shoqëruar me vuajtje dhe hidhërime. De Gennaro kërkon që dokumentet të shqyrtohen me kujdes dhe pa paragjykime, duke shmangur interpretimet e njëanshme. Ai shpjegon se i kishte ruajtur për të dokumentuar karrierën dhe, nëse do të ishte e nevojshme, për të ndihmuar në sqarimin e çështjeve që mund të kërkonin ndërhyrjen e drejtësisë.
De Gennaro përshkruan edhe transferimin e dokumenteve në një hard disk, me ndihmën e sekretarit dhe të djalit të tij, pasi kishte frikë se gjatë procesit mund të humbnin të dhënat. Për këtë arsye, kishte vendosur të mos shkatërronte as pajisjen origjinale të ruajtjes. Kjo pjesë lidhet me hetimet e prokurorisë në Sicili, e cila po shqyrton dyshimet se një person përgjegjës për mbrojtjen e De Gennaros kishte fshehur dhe ruajtur në format dixhital dokumente të konsideruara komprometuese, me udhëzimet e tij. “Dua t’u them të gjithëve se nuk e kam tradhtuar kurrë betimin tim të besnikërisë ndaj atdheut”, shkruan De Gennaro, duke theksuar se i kishte shërbyer vendit me ndershmëri dhe besnikëri, duke zbatuar edhe urdhrat me të cilët nuk ishte dakord. Ai përmend disa figura të politikës italiane, mes tyre Enrico Letta, Giuseppe Conte dhe Gianni Letta, të cilët, sipas tij, mund të dëshmojnë se nuk kishte kërkuar poste të caktuara, por i kishte pranuar pasi ishte bindur ose udhëzuar t’i merrte përsipër.
Në fund, ish-zyrtari pranon se gjatë karrierës mund të ketë bërë gabime, për të cilat kërkon falje, por thekson se ato kanë ndodhur gjatë përmbushjes së detyrave.
“Pas pak minutash nuk do të jem më dhe, për këtë arsye, duhet ta kuptoni mirë se një ‘i dënuar me vdekje’ nuk mund të gënjejë”, shkruan ai. Vdekja e De Gennaros ndodhi në një moment kur ai ishte përfshirë në një hetim të rëndësishëm të prokurorisë së Kaltanissettës, në Sicili, lidhur me një nga ngjarjet më të rënda të luftës së Italisë kundër mafies.
Hetimi lidhej me dyshimet për manipulimin e hetimeve mbi atentatin e 19 korrikut 1992 në rrugën Via D’Amelio, në Palermo, ku u vra gjyqtari antimafia Paolo Borsellino, së bashku me pesë pjesëtarë të eskortës së tij. Prokurorët dyshonin se De Gennaro kishte luajtur rol në pengimin ose devijimin e hetimeve, duke ndikuar në trajtimin e çështjes dhe administrimin e dokumenteve me rëndësi për zbardhjen e saj. Pak ditë para vdekjes, ai ishte njoftuar zyrtarisht se ishte nën hetim. Gianni De Gennaro u gjet i vetëvrarë më 21 nëntor, në moshën 78-vjeçare, në banesën e tij në Toskanë.
