
Katër të rinjtë, David Hoxha, Anjeza Marku, Lulëzime Faria dhe Aleksandër Moja, njoftuan sot krijimin e forcës së re politike “Të bashkuar për Shqipërinë”. “Pas 180 ditëve kemi arritur në rezultatin që kjo protestë duhet të marrë dhe një linjë politike. Kemi zgjedhur që të shkojmë drejtpërdrejt te njerëzit me një parti politike”, u shpreh Lulëzime Faria, duke shtuar se programi do të ndërtohet në bashkëpunim me qytetarët.
Anjeza Marku theksoi se iniciativa nuk ka mbështetje nga forcat tradicionale politike, ndërsa ftoi qytetarët dhe diasporën t’i bashkohen. “Kjo parti politike që do të krijohet ka lindur vetëm nga nevoja. Ka lindur totalisht nga sheshi. Jemi njohur me njëri-tjetrin aty. Jemi të rinj, nuk kemi askënd nga mbrapa”, deklaroi Marku.
Të rinjtë përcaktuan edhe vijat e kuqe për anëtarësimin në forcën e re politike. “Vija e kuqe për partinë tonë janë ata persona që kanë patur pozicione kyçe në partitë që kanë krijuar sistemin 36-vjeçar. Edhe persona që janë marrë me korrupsionin edhe me krimin e organizuar. Shqipërisë i ka ardhur koha për fytyra të reja”. Sa u përket zgjedhjeve të ardhshme, ata nuk përjashtuan mundësinë e garimit me kandidatë, duke theksuar se vendimi do të merret në konsultim me qytetarët.
