Dy parti politike në Izrael, “Yashar”, e drejtuar nga Gadi Eisenkot, dhe “Demokratët”, e drejtuar nga Yair Golan, kanë arritur një marrëveshje paraprake për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës.
Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate të përbashkët të dy forcave politike, të publikuar të enjten, ku konfirmohet dakordësia për nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit.
Sipas agjencisë “Anadolu”, Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor, me mundësi shtyrjeje edhe për 14 ditë të tjera, për të formuar qeverinë e re që synon të zëvendësojë kabinetin e kryeministrit aktual, Benjamin Netanyahu.
Në kuadër të marrëveshjes, partia e Eisenkot pritet të marrë në administrim edhe disa dikastere të rëndësishme, përfshirë Ministrinë e Punës, Komunikacionit, si dhe atë të Kulturës dhe Sportit.
Koalicioni i njohur si “Blloku i Ndryshimit” përfshin partinë “Yashar” të Eisenkotit, “Yisrael Beitenu” të Avigdor Liebermanit, partinë “Së bashku” të Naftali Bennett dhe “Demokratët” e Yair Golan.
Megjithatë, koalicioni përballet me një sfidë të rëndësishme për sigurimin e shumicës parlamentare. Eisenkot, Lieberman dhe Golan disponojnë së bashku 48 vende në parlament, ndërsa për krijimin e një shumice qeverisëse nevojiten të paktën 61 mandate.
Mbetet për t’u parë nëse blloku opozitar do të arrijë të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare për formimin e qeverisë së re dhe largimin e Netanyahut nga pushteti.