
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu thotë se procesi i konsultimit për projekt-ligjin e ri të Kodit të Procedurës Penale vazhdon, edhe pse afati zyrtar u mbyll më 28 tetor. Javën e ardhshme, ministria do të ulet me median dhe shoqërinë civile për konsultimin e fundit, perpara se te kryhet procesi i shqyrtimit te komenteve nga institucionet.
“Në 30 shtator e nxorrëm projekt-ligjin për konsultim publik. Në 28 tetor e mbyllëm afatin zyrtar, por konsultimi vazhdon dhe puna nuk ka mbaruar ende”,-tha ministri. “Kemi marrë mendime nga gjyqtarët, prokurorët, SPAK-u, avokatët, ekspertët dhe vetë qytetarët”,-u shpreh Gogu. Sipas tij, projekt-ligji është punuar edhe me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe i është dërguar Komisionit Evropian.
Para se projekti të marrë formën përfundimtare, mbeten tre hapa. I pari është takimi me median dhe shoqërinë civile javën e ardhshme. “Do të kryejmë edhe konsultimin e fundit”,-u shpreh Gogu. I dyti lidhet me transparencën e procesit. “Çdo propozim që do të shqyrtohet do të ketë një kontribut që do të marrë përgjigje dhe raporti do të bëhet publik”,-tha ministri. I treti është vendimi përfundimtar. “Pastaj, në fund, është radha e qeverisë dhe vendos Kuvendi,” tha Gogu.
Ministri e mbylli mesazhin duke shpjeguar balancën që duhet të ruajë kodi i ri. “Sepse një Kod i Procedurës Penale duhet të bëjë dy punë njëkohësisht, nga njëra anë të mbrojë të drejtat e qytetarit dhe nga ana tjetër t’u japë institucioneve mjetet ligjore për të hetuar krimin. Asnjëra më e fortë se tjetra”.
