Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar në Kuvend pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dispozitës që parashikonte gjoba për bllokimin e rrugëve.
Blushi e cilësoi vendimin si një paralajmërim të fortë për qeverinë, duke theksuar se asnjë akt normativ nuk mund të përdoret për të anashkaluar Kushtetutën dhe për të kufizuar të drejtat themelore të qytetarëve.
"Një qeveri që nuk e duron dot protestën dhe që i përgjigjet kritikës me gjoba, duhet të kuptojë se problemi nuk qëndron te qytetarët, por te raporti që pushteti ka me të drejtat themelore të njeriut", deklaroi Blushi.
Blushi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të lexohet si një paralajmërim serioz. Ju nuk mund të miratoni me akt normativ atë që Kushtetuta e ndalon. Sigurisht që dhuna nuk duhet të tolerohet, pasi çdo akt dhune duhet të hetohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit. Por i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për Policinë e Shtetit. Një qeveri që nuk e duron dot protestën dhe që i përgjigjet kritikës me gjoba, duhet të kuptojë se problemi nuk qëndron te qytetarët, por te raporti që pushteti ka me të drejtat themelore të njeriut.
© SYRI.net