Sport

Egnatia bën krenar futbollin shqiptar, triumfon në Europë dhe sheh më pranë fazën tjetër!

Egnatia ka përjetuar një nga mbrëmjet më të bukura europiane në historinë e saj. Skuadra e Nevil Dedes ka triumfuar përballë Lincoln Red Imps, duke marrë tri pikë me shumë vlerë në Conference League dhe duke rritur shpresat për të vazhduar aventurën ndërkombëtare.

Kampionët e Shqipërisë zbritën në fushën e stadiumit “Air Albania” me objektivin për të marrë fitoren e parë në këtë fazë të kompeticionit dhe ia dolën të realizojnë misionin, në një përballje që prodhoi emocione dhe përmbysje rezultati. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa momenti vendimtar për Egnatian erdhi menjëherë pas pushimit. Në minutën e 47-të, Alessandro Albanese dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar rrogozhinasit në avantazh dhe ndezur festën në stadium.

Lincoln Red Imps reagoi dhe arriti të barazojë me Idrissin, duke rihapur takimin. Megjithatë, Egnatia nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkonte golin e fitores. Ai erdhi nga Fernando, i cili shënoi për 2-1 dhe vulosi një triumf me peshë të madhe për skuadrën shqiptare.

Kjo është fitorja e parë e Egnatias në fazën e ligës së Conference League, pas dy barazimeve dhe një humbjeje në tri sfidat e para. Me këtë sukses, skuadra rrogozhinase shkon në kuotën e pesë pikëve dhe renditet përkohësisht në vendin e 17-të.

LEXO EDHE: ‘Kompeticion historik për futbollin shqiptar’/ Presidenti Duka përshëndet në ceremoninë e shortit të Euro U21!

Tashmë, Egnatia mund të shohë me më shumë optimizëm ndeshjet e mbetura. Sfida e radhës do të jetë ndaj Kauno Zalgiris, ku kampionët e Shqipërisë do të kërkojnë të vazhdojnë rrugëtimin drejt një kualifikimi që do të përbënte një tjetër arritje të rëndësishme për futbollin shqiptar.

Një natë e madhe për Egnatian, që dëshmon se mund të jetë konkurruese edhe në arenën europiane!

LEXO EDHE: Egnatia merr një dhuratë suprizë përpara ndeshjes së Conference League