Fjalimi i Spiropalit, Zogaj: Ja pse e përjashtuan nga grupi i PS

Analisti Preç Zogaj ka kaluar në skaner fjalimin e Elisa Spiropalit pas përjashtimit të saj nga grupi parlamentar i PS-së.
I ftuar në studion e “Të Paekspozuarit”, Zogaj theksoi se Spiropali ka bërë një skaner të të gjitha problemeve brenda PS-së. Sipas tij, Elisa duhet vlerësuar për ato që tha, pa e marrë në analizë atë si person.
Pjesë nga biseda:
Zogaj: Spiropali ka qenë kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ministre e Jashtme. Unë kurrë nuk e kam takuar, ama e njoh që në startin e saj politik. Unë kam pasur në karrierën politike edhe problemet e mia në PD. Ajo ka qenë në grevë, pastaj ka bërë karrierën e vet. Unë e kam ndjekur gjatë gjithë kohës, kam dëgjuar prononcimet e saj, mënyrën si e ka përballuar Parlamentin në kohë të vështira. E ka drejtuar me inteligjencë, të cilën nuk e kanë pasur të tjerët. Pse? Sepse ajo duket se është një njeri i lexuar.
Rakipi: E thoshte vetë që lexonte.
Zogaj: Më vjen shumë keq që, kur flitet për një person që ka bërë një akt, nuk flitet për aktin. Nuk thotë kush nëse është koha apo nuk është koha, por menjëherë thonë që kjo ka qenë e privilegjuar.
Lala: Çfarë tha?
Zogaj: Të gjithë politikanët në Shqipëri që kanë ndërmarrë një akt papajtueshmërie me liderin kanë pasur një post, se po ta kishte bërë një anonim, nuk do të përbënte lajm.
Lala: Për mua, politikane mediokre mbetet. Çfarë na tha Elisa? Ato që janë denoncuar në studio, kur Elisa gëzonte privilegjet.
Zogaj: Ka të bëjë me një mentalitet që vjen që nga koha e Enver Hoxhës. Ajo duket se ka qenë dikushi. Kushdo që ka bërë një akt të tillë ka qenë dikushi.
Rakipi: Ajo vrau Skënderbeun pas 10 vjetësh.
Zogaj: Vjen një moment që njerëzit brenda partisë, për një arsye apo një tjetër, ngrenë çështje. Spiropali ka thënë gjëra të rëndësishme.
Rakipi: Pra, vrau Skënderbeun.
Zogaj: Mos e bëj qesharake, do ta bësh estradë.
Rakipi: Estradë e kanë bërë ata.
Bushati: Unë s’besoj se ka thënë gjë, por lëreni të flasë.
Zogaj: Pse e përjashtuan? E para, është distancuar nga investimi i fortë i armës për të mbrojtur Ballukun dhe për të penguar heqjen e imunitetit. Nuk ka shkuar në votim.
Hila: Pasi e hoqi si ministre, se del si sherr femrash, nuk është për çështje parimore.
Zogaj: Megjithatë, PS-ja dhe Rama ia kanë mbajtur shënim si akt të rëndë. E dyta, ajo ka bërë një skaner që përkon me një mendim dhe analizë që bëjnë shumë veta, por e ka bërë nga pozitat brenda PS-së. Ka bërë një skaner të gjendjes ku është PS-ja, e cila është shndërruar në parti-shtet.




