Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë pesë persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale të vjedhjes së rëndë.

Ndalimi i tyre është bërë pas një procesi hetimor të zhvilluar në kuadër të planit operativ “Vjedhjet e Rënda”, i cili kishte për qëllim identifikimin e personave të dyshuar dhe zbardhjen e rrethanave të rasteve nën hetim.


Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë hetimeve janë ndërmarrë një sërë veprimesh, përfshirë analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë, vëzhgimin dhe përcjelljen e personave të dyshuar, analizimin e të dhënave të komunikimeve telefonike dhe hartografimin e lëvizjeve të tyre, si dhe zbatimin e masave të veçanta hetimore.

Si rezultat i këtyre veprimeve, më 26 nëntor 2026 janë realizuar kontrolle të njëkohshme në pesë lokacione të ndryshme në territorin e komunave të Prishtinës dhe Drenasit.

Gjatë kontrolleve, sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme materiale, për të cilat dyshohet se mund të ndërlidhen me veprën penale që po hetohet.

Në mesin e sendeve të sekuestruara janë telefona mobilë, pajisje elektronike, pajisje për incizim të kamerave të sigurisë (DVR), radiolidhje, pajisje GPS, veshje, mbathje, mjete të ndryshme dhe sende të tjera.

Prokuroria ka bërë të ditur se këto prova do t'u nënshtrohen ekzaminimeve dhe analizave kriminalistike, me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka paraqitur në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve.