Një e burgosur shtatzënë është arratisur nga paraburgimi në shtetin amerikan të New Mexico. Ajo ia doli që të rrëmbente një automjet të Policisë ndërsa kthehej në burg, nga një kontroll rutinë në spital.
26-vjeçarja Rebecca Taylor, u largua me makinën e Policisë, kur oficerët që e transportonin dhe një e burgosur tjetër, u ndalën për të marrë ushqim. Departamenti i Burgjeve të New Mexico tha në një njoftim se automjeti dhe kostumi i të burgosurës u gjetën më vonë, por Taylor mbetet në arrati.
Raportohet se ajo ishte burgosur për akuza të shumta për vjedhje dhe grabitje. Ndërsa në shpjegimin e tyre, autoritetet thanë se Rebecca ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë, një arsye pse nuk ishte e lidhur gjatë transportimit nga spitali në burg.
Institucionet përkatëse kanë marrë masa dhe në burgun ku ndodhej 26-vjeçarja, momentalisht nuk lejohen vizitat. Ndërsa Policia ka bërë thirrje për telefonatë të menjëhershme, nga kushdo që ka informacion për Taylor.