Ndryshimet në kuadrin ligjor për mbrojtjen e grave synojnë të zgjerojnë mekanizmat e sigurisë, duke përfshirë jo vetëm dhunën në marrëdhëniet familjare, por edhe atë verbale, digjitale dhe në sferën politike.
Punonjësi social Arbi Basho thotë se rritja e rasteve të raportuara të dhunës në familje lidhet edhe me ndërgjegjësimin më të madh të grave, të cilat po gjejnë guximin të denoncojnë dhunuesit dhe të kërkojnë mbrojtje. Sipas tij, kuadri ligjor parashikon masa më të ashpra ndaj autorëve të dhunës, përfshirë largimin e menjëhershëm të tyre nga banesa.
“Ka ndryshime shumë thelbësore për sa i përket mbrojtjes së gruas në marrëdhëniet familjare. Kemi një sensibilizim akoma më të madh në komunitet për denoncimin e rasteve të dhunës në familje, por sigurisht edhe vit pas viti rastet e raportuara rriten, pasi më shumë gra marrin guximin të mbrohen nga dhunuesit e tyre. Kuadri ligjor është ashpërsuar për sa u përket dhunuesve. Sigurisht, dhunuesi largohet menjëherë nga banesa në rastet e dhunës në familje dhe parashikohen masa akoma më të rënda për hapat e tjerë”, tha Arbi Basho.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbrojtjes së grave që angazhohen në jetën politike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve. Sipas Bashos, zgjerimi i mbrojtjes ligjore përfshin edhe kandidatet që mund të përballen me sulme verbale apo digjitale gjatë fushatës elektorale, duke u njohur të drejtën për të kërkuar urdhër mbrojtjeje në rastet kur u cenohet dinjiteti dhe integriteti.
“Ligji e ka zgjeruar akoma më shumë gamën e mbrojtjes së gruas, duke përfshirë jo vetëm marrëdhëniet familjare, por edhe dhunën digjitale që ndodh kryesisht sot, si dhe dhunën në marrëdhëniet politike. Jemi duke u futur në vit zgjedhor dhe ligji mbron të gjitha kandidatet për sa i përket dhunës që mund të hasin gjatë fushatës elektorale, qoftë dhunë digjitale, verbale apo forma të tjera. Të gjitha kandidatet kanë të drejtë të kërkojnë urdhër mbrojtjeje për personat që u cenojnë dinjitetin dhe integritetin, qoftë në formë digjitale, por edhe verbale”, tha ai.
Zgjerimi i mekanizmave ligjorë synon të garantojë mbrojtjen e grave në hapësira të ndryshme të jetës, përfshirë atë publike dhe politike, duke adresuar edhe format e dhunës që ushtrohen përmes komunikimit dhe rrjeteve sociale.