Erjon Vishkulli: Dua drejtësi dhe të rifitoj shikimin
Erjon Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy gjatë një proteste disa javë më parë, ka rrëfyer vështirësitë shëndetësore dhe pasojat me të cilat po përballet që prej incidentit. Në një intervistë për emisionin “Top Story”, ai tha se shpresa e tij kryesore është të rifitojë shikimin dhe të rikthehet në një jetë normale.
Vishkulli tregoi se mjekët fillimisht u përqendruan në ruajtjen e strukturës së syrit, por deri tani nuk i kanë dhënë asnjë garanci për rikthimin e shikimit. Sipas tij, procesi i trajtimit do të jetë i gjatë, mund të zgjasë të paktën një vit dhe do të kërkojë kontrolle të vazhdueshme dhe ndërhyrje të tjera kirurgjikale.
Ai bëri të ditur se më datë 17 do të udhëtojë sërish drejt Italisë, ku do të përcaktohet edhe data e operacionit të radhës. Vishkulli deklaroi se trajtimi i tij u realizua në Romë, pasi institucionet shëndetësore në Shqipëri nuk e morën përsipër rastin, ndërsa ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë bëri të mundur dërgimin e tij jashtë vendit.
I riu tha se dy ditët e para pas plagosjes gjendja e tij ishte aq e rëndë, sa nuk ishte në gjendje as të fliste. Ai shprehu solidaritetin me protestuesit, por theksoi se aktualisht nuk mund të marrë pjesë fizikisht në tubime, pasi mjekët i kanë kërkuar të shmangë tymrat për të mbrojtur syrin e dëmtuar.
Vishkulli rrëfeu edhe momentin kur familjarët mësuan për plagosjen. Babai u njoftua përmes telefonit, ndërsa nëna e tij e pa lajmin në rrjetet sociale dhe pësoi një traumë të fortë, duke i rënë telefoni nga dora. Menjëherë pas kësaj, familjarët u nisën drejt spitalit.
Pavarësisht vëmendjes publike pas ngjarjes, ai tha se nuk ka ndërmend të angazhohet në politikë. Vishkulli ka përfunduar studimet për gazetari dhe ka kryer praktikë në këtë fushë, por më pas është përqendruar te biznesi familjar, ku administron një fabrikë për prodhimin e vajit.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për futbollin dhe rolin që ky sport ka në bashkimin e shqiptarëve nga treva të ndryshme. Sipas tij, një skuadër futbolli ka arritur të bashkojë njerëz që politika nuk ka mundur t’i afrojë, duke e cilësuar tribunën si një hapësirë ku shfaqet kjo ndjenjë përkatësie.
Sa i përket hetimeve për plagosjen, Vishkulli bëri të ditur se ka dëshmuar për rreth dy orë në Prokurori. Ai tha se është pyetur për rrethanat para dhe pas incidentit, trajtimin në spital dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
“Po kryhen hetimet, unë dua drejtësi, për mua ishte gjë e rëndë”, u shpreh ai, duke theksuar se për momentin nuk është në gjendje të punojë dhe se dhimbjet dhe medikamentet vazhdojnë t’i vështirësojnë përditshmërinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



