Emisioni “Stop” i rikthehet këtë të enjte, më 26 nëntor, rastit të rëndë të Floresha Koçit, e cila ka denoncuar për vite me radhë dhunën e ushtruar ndaj saj nga ish-bashkëshorti, Bledar Koçi.
Rasti u transmetua vitin e kaluar, kur u publikuan edhe pamje të episodeve të dhunës fizike. Pas denoncimit dhe hetimeve të mëtejshme, çështja mori një zhvillim të ri në Prokurorinë e Elbasanit.
Sipas avokates Orgesa Serani, Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Bledar Koçin, por Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan vendosi “arrest në shtëpi”.
Prokuroria e ka ankimuar këtë vendim në Gjykatën e Apelit. Por pyetja, që ngre “Stop” është nëse kjo masë po zbatohet realisht.
Kamera e fshehtë e emisionit e gjeti Bledar Koçin në lokalin e tij, në zonën e Llixhave në Elbasan, ku ai shfaqej duke ushtruar aktivitetin e zakonshëm.
Pamjet ngrenë dyshime serioze për mosrespektimin e vendimit të gjykatës dhe për mungesën e kontrollit nga organet përgjegjëse për zbatimin e masës së sigurisë.








