Elisa Spiropali ka artikuluar kritika të drejtpërdrejta ndaj mënyrës së funksionimit të Partisë Socialiste dhe qeverisjes së Edi Ramës, duke ngritur akuza për deformim të votës, ndikim të pushtetit në zgjedhje dhe personalizim ekstrem të vendimmarrjes.
E ftuar në emisionin “Opinion”, Spiropali deklaroi se një nga problemet kryesore të sistemit zgjedhor është fuqia e madhe e pushtetit, e cila, sipas saj, ushtron presion veçanërisht në zonat periferike. Ajo pranoi se ka deformim të votës dhe përmendi si faktorë ndikues elementët e krimit, korrupsionin dhe përdorimin e burimeve shtetërore.
Duke folur për përgjegjësinë politike, ish-ministrja e Jashtme ia drejtoi gishtin kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ai duhet të mbajë përgjegjësi jo vetëm si drejtues i qeverisë, por edhe si kryetar i Partisë Socialiste.
“Deformim të votës ka, sepse forca e pushtetit është aq e madhe dhe, mbi të gjitha, në periferitë e largëta, presioni i pushtetit është shumë i madh. Ka elementë të krimit, korrupsionit, ka elementë të përdorimit të mjeteve të pushtetit, të tenderëve dhe shumëçka tjetër në këtë sistem”, u shpreh Spiropali.
Ajo kërkoi gjithashtu një ndryshim të sistemit zgjedhor, duke propozuar kalimin drejt proporcionalit me lista të hapura. Sipas saj, mazhoranca duhet të kishte zgjedhur dialogun me protestuesit dhe t’i kishte dhënë më shumë hapësirë opozitës.
“Ne duhet të uleshim me protestuesit, t’i jepnim hapësirë opozitës, të bënim një reformë zgjedhore me sistem proporcional me lista të hapura”, deklaroi ajo.
Në një tjetër kritikë ndaj modelit aktual të qeverisjes, Spiropali paralajmëroi kundër trajtimit të shtetit si pronë private, duke e cilësuar përqendrimin e pushtetit në duart e një individi si një nga problemet themelore të sistemit.
“Aty është përgjegjësia e Ramës. Është kryeministri dhe kryetar i PS-së. Atdheu të mos trajtohet si pronë private. Përgjegjësia më e madhe është modeli i personalizimit ekstrem të pushtetit”, u shpreh Spiropali.
Ajo theksoi se mbetet e angazhuar për ndryshimin dhe evoluimin e sistemit, duke lënë të qartë se kritikat e saj lidhen me mënyrën se si ushtrohet dhe përqendrohet pushteti në vend.












