E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Bllokohen mbi 2 tonë mish në Fier, gjoba edhe në Durrës e Shkodër
Lajme

Bllokohen mbi 2 tonë mish në Fier, gjoba edhe në Durrës e Shkodër

Nga “Sauli” e tek “Golden Hand”

Problemet me sigurinë ushqimore vijojnë të dalin në pah gjatë kontrolleve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Këtë herë, inspektimet kanë zbuluar shkelje në disa subjekte në Fier, Shkodër dhe Durrës, ku janë konstatuar mangësi në higjienë, ruajtjen e produkteve dhe sistemet e gjurmueshmërisë.

Rasti më i rëndë është evidentuar në Fier, në një subjekt të përpunimit të mishit në pronësi të R. Saulit. Pas një kontrolli të zhvilluar nga AKU në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, pas informacionit të përcjellë nga Prokuroria, janë bllokuar 2.089 kilogramë produkte.

Gjatë inspektimit janë konstatuar mungesa të kushteve higjieno-sanitare, probleme me ruajtjen e produkteve, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë për periudhën tetor-nëntor dhe moszbatim i plotë i sistemit të vetëkontrollit HACCP.

Sasia e bllokuar përfshin 1.629 kilogramë produkt të etiketuar si “gjiro”, 100 kilogramë dhjamë derri dhe 360 kilogramë kimë mishi pule. Produktet janë bllokuar me destinacion asgjësimin.

Për shkeljet e konstatuara, subjektit i është vendosur një gjobë prej 1 milion lekësh, si dhe është urdhëruar ndërprerja e pjesshme e aktivitetit në pjesët ku janë evidentuar problematikat.

Kontrolle edhe në Shkodër dhe Durrës

Inspektimet nuk janë ndalur në Fier. Në Shkodër, në subjektin “Universal Frigo Darb”, që ushtron aktivitet në përpunimin e mishit, është konstatuar mungesa e sistemit të gjurmueshmërisë. Për këtë shkelje është vendosur një gjobë prej 100 mijë lekësh.

Ndërkohë, në Durrës, kontrollet në kompaninë “Golden Hand Company”, e cila merret me tregtimin e frutave të thata, kanë evidentuar mungesë gjurmueshmërie, moszbatim të sistemit HACCP dhe mangësi në përmbushjen e përgjegjësive të operatorit të biznesit ushqimor. Subjekti është gjobitur me 300 mijë lekë.

Gjobiten edhe institucione publike

Masat administrative kanë prekur edhe institucione publike në qarkun Dibër. Kopshti nr. 3 dhe Spitali Civil në Peshkopi janë gjobitur me nga 30 mijë lekë secili, për shkak se nuk kanë zbatuar detyrat e lëna gjatë kontrolleve të mëparshme.

Sipas bilancit të AKU-së, gjatë dy ditëve janë inspektuar 160 subjekte në të gjithë vendin: 50 me origjinë shtazore, 78 me origjinë joshtazore dhe 32 subjekte MBIB.

Në total janë vendosur nëntë masa administrative me paralajmërim dhe tetë gjoba, me një vlerë të përgjithshme prej 1 milion e 460 mijë lekësh.

Këto kontrolle vijnë vetëm pak ditë pas rastit të 27 tonëve mish derri me dokumentacion të dyshuar të falsifikuar, ku në qendër të denoncimit ishte kompania “King-Mit”. Ndërkohë, një ditë më parë u raportua edhe bllokimi i 54 tonëve mish pule të importuar nga Brazili, për shkak të mospërputhjes së certifikatave me të dhënat në sistem.

Rastet e njëpasnjëshme ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve dhe mbikëqyrjen e subjekteve që operojnë në tregun ushqimor. Përtej gjobave dhe bllokimeve, mbetet thelbësore që institucionet të garantojnë gjurmueshmërinë e produkteve dhe zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.