Zelensky: Forcat ruse po përgatiten të nisin një sulm të ri ajror dhe raketor

Europë | 1 minutë më parë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se shërbimet e inteligjencës së vendit të tij zotërojnë informacione sipas të cilave forcat ruse po përgatiten të nisin një sulm të ri ajror dhe raketor në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në ditët në vijim. Ai u bëri thirrje qytetarëve të mbeten vigjilentë dhe t’u përgjigjen menjëherë alarmeve ajrore.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes me video, Zelenskyy konfirmoi se ky është paralajmërimi i dytë i këtij lloji gjatë kësaj jave. Ai gjithashtu u kërkoi ukrainasve t’u kushtojnë vëmendje të veçantë sirenave të alarmit ajror — të cilat sinjalizojnë kërcënime të mundshme me raketa — gjatë ditëve të ardhshme. Presidenti ukrainas nënvizoi se vendi i tij do të rindërtojë çdo gjë që shkatërrohet dhe shtoi se do të vazhdojë të reagojë me forcë ndaj çdo sulmi që synon territorin ukrainas.

Forcat ruse kanë vijuar të kryejnë sulme intensive ndaj kryeqytetit, Kiev, dhe qyteteve të tjera ukrainase që nga shtatori i kaluar. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se një sulm me raketa balistike goditi qytetin gjatë natës, duke lënë shtatë persona të plagosur dhe duke dëmtuar një qendër tregtare si dhe dy ndërtesa të tjera. Ndërkohë, Moska deklaroi se sulmet e saj kishin në shënjestër objekte të lidhura me operimin e dronëve.

Paralelisht me paralajmërimet për sulmin e pritshëm, inteligjenca ushtarake dhe ushtria ukrainase njoftuan zbatimin e një sërë sulmesh me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit rus. Sulmet goditën një rafineri nafte në rajonin e Krasnodarit në jug të Rusisë, si dhe depozita nafte që i përkasin kompanisë Transneft në rajonin e Bashkortostanit.

Përveç kësaj, sulmet patën në shënjestër bazën ajrore ushtarake Marinovka në rajonin e Volgogradit. Këto veprime u ndërmorën në kuadër të përpjekjeve të Kievit për të dobësuar kapacitetet furnizuese ushtarake të Rusisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme