
Belind Këlliçi pohoi mbrëmjen e sotme se PD është e gatshme të mbështesë çdo kandidat që nuk vjen nga radhët e saj me synimin fitoren e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Nënkryetari i PD-së theksoi se selia blu propozon lista të hapura 100% në garat për kryebashkiakë dhe këshilla bashkiakë.
“Për të mundur Edi Ramën? 100 % , pa limite pa asnjë hezitim. Madje duke qenë se jemi në përfundim të afateve të Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore, edhe propozimi ynë zyrtar në tryezë është për të hapur listat 100 % por duke nisur nga zgjedhjet lokale dhe duke bërë të mundur që edhe në lista të Këshillit bashkiak të jenë lista të hapura 100 % për të patur mundësi që të kemi mundësi që të kemi sa më shumë emra për të përfaqësuar edhe protestën edhe lëvizjen studentore edhe partitë politike”, tha Këlliçi.
Nënkryetari i PD-së Këlliçi komentoi përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar socialist, Deputeti demokrat tha se është për t’u përshëndetur fakti që ajo ka vendosur të flasë hapur për zhvillimet brenda mazhorancës, ndonëse, sipas tij, për vite me radhë ka kontribuar në konsolidimin e pushtetit të Ramës dhe instalimin e autokracisë në vend. Ai vlerësoi veçanërisht qëndrimin e Spiropalit për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke theksuar se ajo nuk u bashkua me votat e socialistëve për të penguar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres.
“Është për t’u përshëndetur që një person i tillë, që ka kontribuar në konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës, flet hapur për situatën. Ajo i ka shërbyer instalimit të autokracisë në vend, por ka një akt me vlerë, që nuk ka bashkuar votat me deputetët e PS-së për të mbrojtur Belinda Ballukun për heqjen e imunitetit të saj kur e kërkoi SPAK-u dhe që nuk u bë pjesë e radhës së ushtarëve në shërbim të korrupsionit galopant të dyshes Rama-Balluku”, deklaroi Këlliçi.