Ndeshja mes Beshiktashit dhe skuadrës izraelite Hapoel Be’er Sheva, e zhvilluar në Batumi Arena të Gjeorgjisë, u ndërpre përkohësisht mbrëmjen e së enjtes pas përplasjeve mes tifozëve turq dhe policisë gjeorgjiane.
Incidentet nisën pasi tifozët e Beshiktashit shpalosën banderola në mbështetje të Palestinës, me mesazhet: “Rezistojini pushtimit, çlironi Palestinën” dhe “Nëse nuk mund ta ndalosh padrejtësinë, bëje atë të njohur për të gjithë”.
Përpjekjet e policisë për të ndaluar protestën u përshkallëzuan në përleshje masive brenda stadiumit. Në pamjet e publikuara shihen efektivët duke përdorur autobotë me ujë ndaj tifozëve, ndërsa këta të fundit hodhën karrige në drejtim të policisë. Disa mbështetës u plagosën dhe u transportuan për ndihmë mjekësore.
Ndeshja ishte zhvendosur nga Stambolli në një fushë neutrale për shkak të shqetësimeve të sigurisë të ngritura nga UEFA dhe autoritetet turke. Sipas mediave turke, rreth 20 mijë tifozë ndoqën takimin, ndërsa rreth 400 mbështetës të skuadrës izraelite ishin të pranishëm nën masa të rrepta sigurie.
Pas incidenteve, Beshiktashi reagoi përmes një deklarate zyrtare, duke akuzuar sigurinë e stadiumit për përdorim të forcës së tepruar ndaj tifozëve të tij.
Edhe Fenerbahçe dënoi ngjarjen, duke deklaruar:
“Përdorimi i forcës joproporcionale ndaj tifozëve të Beshiktashit, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për popullin palestinez, është i papranueshëm. Çdo qytetar turk e konsideron qëndrimin në krah të të shtypurve një përgjegjësi njerëzore”.
Pavarësisht tensioneve dhe ndërprerjes së përkohshme, takimi rifilloi dhe përfundoi me fitoren 2-1 të Beshiktashit.
Ndërkohë, çështja e mesazheve pro-palestineze në stadiume ka përfshirë edhe Galatasarayn. Klubi turk deklaroi se qeveria izraelite e kishte denoncuar pranë UEFA-s për banderolat e tifozëve në mbështetje të Palestinës, të shpalosura gjatë ndeshjes kundër Aston Villas në Champions League. Në to shkruhej: “Mos e harroni kurrë Gazën, heshtja ndaj gjenocidit nuk është zgjidhje”.







Komente
Komento