Huthitët godasin infrastrukturën saudite të naftës, Riadi intensifikon bombardimet në Jemen

26/11/2026 22:59

Forcat Huthite të Jemenit dhe Arabia Saudite kanë intensifikuar sulmet ndaj objektivave strategjike të njëra-tjetrës, duke përfshirë rafineritë e naftës, portet dhe infrastrukturën ekonomike, në një përshkallëzim të ri të konfliktit mes dy palëve.

Një predhë goditi të enjten një rafineri nafte në rajonin Jazan, në jugperëndim të Arabisë Saudite, duke shkaktuar vdekjen e një punëtori nga Nepali dhe plagosjen e disa personave të tjerë, sipas Ministrisë Saudite të Energjisë.

Goditja shkaktoi zjarr në objekt dhe detyroi pezullimin e përkohshëm të një pjese të operacioneve. Sulmi ndodhi një ditë pasi Huthitët morën përgjegjësinë për një goditje ndaj rafinerisë Ras Tanura, një prej objekteve më të rëndësishme të industrisë saudite të naftës.

Pamjet satelitore të realizuara të mërkurën treguan një re të madhe tymi të zi që ngrihej mbi kompleksin industrial të Ras Tanuras, pas raportimit për sulmin.

Zëdhënësi ushtarak i Huthitëve, Yahya Saree, deklaroi se goditjet ishin “të sakta dhe të drejtpërdrejta”, duke pretenduar se kishin shkaktuar zjarr në objekt.

Sipas një burimi të sektorit të transportit detar, të cituar nga CNN, ngarkimi i naftës në terminal u pezullua pas sulmit. Deri më tani nuk është bërë e qartë nëse operacionet kanë rifilluar. Nga ana tjetër, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se kishte interceptuar dhe shkatërruar katër dronë mbi zonën e Ras Tanuras, në provincën lindore të mbretërisë.

Sipas zëdhënësit të koalicionit, gjeneralmajor Turki Al-Malki, mbetjet e mjeteve të interceptuara ranë në zonë, por nuk u raportuan të plagosur. Ekipet e emergjencës dhe specialistët teknikë po vlerësonin dëmet dhe sigurinë e instalimeve.

Rafineria Ras Tanura ka një kapacitet përpunimi prej rreth 550 mijë fuçi naftë në ditë dhe është pjesë e një kompleksi të rëndësishëm bregdetar energjetik. Ndërkohë, forcat e udhëhequra nga Arabia Saudite kanë shtuar sulmet ajrore në territoret e kontrolluara nga Huthitët në Jemen.

Të mërkurën, koalicioni njoftoi se kishte goditur kapacitete operative të Huthitëve në portin e Hodeidahut, si dhe objektiva në provincat Saada dhe Amran.

Në një deklaratë të publikuar të enjten, koalicioni bëri të ditur se kishte zhvilluar një “operacion ushtarak preciz”, gjatë të cilit ishin shkatërruar 50 objektiva që i cilësoi si objektiva legjitime ushtarake në provincat Sanaa, Hodeidah dhe Saada.

Nga ana tjetër, forcat e armatosura të kontrolluara nga Huthitët pretenduan se avionët dhe raketat saudite kishin kryer 109 sulme në territorin jemenas gjatë 24 orëve të mëparshme. Ministria e Shëndetësisë, e kontrolluar nga Huthitët në Sanaa, deklaroi se të paktën 19 civilë ishin vrarë dhe 25 të tjerë plagosur gjatë sulmeve saudite në 48 orët e fundit.

Këto pretendime për numrin e sulmeve dhe viktimave nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga CNN. Huthitët morën përgjegjësinë për një sulm ndaj King Abdullah Economic City në Riad, për të cilin autoritetet saudite thanë se kishte shkaktuar plagosjen e 11 personave. Ky ishte sulmi i tretë i këtij muaji ndaj kryeqytetit saudit.

Sipas një dëshmitari të cituar nga CNN, ndërtesa e goditur, e përshkruar si më e larta në kryeqytetin saudit, strehon selinë e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), fondi sovran i pasurisë së mbretërisë, me një portofol që vlerësohet në rreth 1 trilion dollarë.

E njëjta ndërtesë ishte goditur edhe më herët gjatë këtij muaji në një sulm me raketë. Pas incidentit, koalicioni saudit deklaroi se “shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve dhe objekteve civile nga milicia terroriste Huthite do të marrë një përgjigje të vendosur”.

Përplasjet mes Huthitëve dhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite janë intensifikuar sërish pas një periudhe relative qetësie, të krijuar nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2022.

Sipas raportimit të CNN, luftimet u përshkallëzuan në muajt e fundit, pasi Huthitët avancuan drejt ngushticës strategjike të Bab el-Mandebit në shtator, duke kërcënuar hapjen e një fronti të ri në kuadër të luftës me Iranin.

Bab el-Mandebi është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, pasi lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përbën një pikë kyçe për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe energjisë. Goditjet ndaj rafinerive saudite, terminaleve të naftës dhe porteve jemenase tregojnë se përplasja po prek gjithnjë e më shumë infrastrukturën strategjike dhe ekonomike të rajonit.

Top Channel