David Hoxha, Anjeza Marku, Lulëzime Faria dhe Aleksandër Moja, katër prej të rinjve të angazhuar në protestën 180-ditore, kanë njoftuar krijimin e një force të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Ata deklarojnë se janë njohur në shesh dhe se ideja për krijimin e partisë ka lindur nga angazhimi i përbashkët në protestë.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, të rinjtë thanë se pas 180 ditësh protestë kanë vendosur që kjo qëndresë të marrë edhe një drejtim politik, duke zgjedhur krijimin e drejtpërdrejtë të një partie dhe jo të një lëvizjeje që më vonë të shndërrohej në forcë politike.
Lulëzime Faria bëri të ditur se në ditët në vijim do të nisin një tur takimesh me qytetarët në qytete dhe fshatra, ku do të prezantojnë idetë e tyre dhe do të hartojnë programin politik në bashkëpunim me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
“Pas 180 ditëve kemi arritur në rezultatin që kjo protestë duhet të marrë dhe një linjë politike dhe kemi zgjedhur që të shkojmë drejtpërdrejt te njerëzit me një parti politike dhe jo me një lëvizje apo diçka tjetër që më pas ta kalonim në parti politike. Ne mendojmë që shqiptarët në këtë moment, jo vetëm protestuesit në shesh, por edhe protestues në të gjithë botën, pra kudo që janë shqiptarët, qoftë edhe nëpër rrethe, kemi menduar që të jemi në mënyrë të drejtpërdrejtë me ta duke shpalosur idetë tona, duke shpalosur një program në ditët në vazhdim të cilin do ta ndërtojmë së bashku”, tha Faria.
Anjeza Marku theksoi se partia e re ka lindur nga vetë protesta dhe se nisma nuk mbështetet nga forcat tradicionale politike. Ajo u bëri thirrje qytetarëve, studentëve dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit t’i bashkohen kësaj përpjekjeje.
“Kjo parti politike që do të krijohet ka lindur vetëm nga nevoja. Ka lindur totalisht nga sheshi. Jemi njohur me njëri-tjetrin aty. Ne përfaqësojmë vetëm ata të cilët do mendojnë njësoj si ne dhe do bien dakord me atë çfarë edhe ne do përfaqësojmë. Na besoni. Jemi të rinj, nuk kemi askënd nga mbrapa siç do supozohet ose mund të mendohet, jemi vetëm me njëri-tjetrin. Kemi ekspertë që duan të na ndihmojnë ta bëjmë këtë gjë më të mirë. Por edhe një thirrje shkon jo vetëm për personat e sheshit, të cilët unë i admiroj pafundësisht për gjithë këtë qëndresë të fortë që kemi bërë, por edhe për çdo qytetar në Shqipëri, jashtë Shqipërie, të bëhemi gjithë bashkë, ta bëjmë këtë gjë më mirë”, u shpreh Marku.
Të rinjtë kanë përcaktuar edhe vijën e kuqe për anëtarësimin në partinë e re. Sipas tyre, në këtë nismë nuk do të përfshihen persona që kanë mbajtur pozicione kyçe në partitë që kanë ndërtuar sistemin politik të 36 viteve të fundit, si dhe individë të përfshirë në korrupsion apo krimin e organizuar.
“Vija e kuqe për partinë tonë janë ata persona që kanë pasur pozicione kyçe në partitë që kanë krijuar sistemin 36-vjeçar. Edhe persona që janë marrë me korrupsionin edhe me krimin e organizuar. Kjo është vija e kuqe që ne nuk do e kalojmë. Njerëzit që kanë këtë profil, ne nuk i ftojmë në këtë krijim partie. Edhe sikur të bëjnë një karantinë politike, ne mendojmë që Shqipërisë i ka ardhur koha për fytyra të reja. Nuk mundet të shikojmë të njëjtat fytyra që kanë pasur një efekt shumë drastik në shoqërinë tonë 36-vjeçare”, deklaruan ata. a.b





