Deputetja e përjashtuar nga Partia Socialiste, Elisa Spiropali, ka shtuar kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar qeverisjen e tij për deformimin e procesit zgjedhor dhe përqendrimin ekstrem të pushtetit. Në një dalje në emisionin “Opinion”, Spiropali kritikoi edhe funksionimin e Kuvendit dhe të Grupit Parlamentar të PS-së, duke deklaruar se mekanizmat e kontrollit parlamentar nuk funksionojnë.
Sipas saj, Republika Parlamentare në Shqipëri është cenuar në thelbin e saj, ndërsa deputetët e mazhorancës votojnë në rresht dhe çdo qëndrim kundër linjës së grupit konsiderohet si akt tradhtie.
“Mekanizmat e kontrollit të Parlamentit janë të ndryshkur. Republika Parlamentare është e cenuar tërësisht në thelbin e vet dhe këtë duhet ta themi. Nuk funksionon.
Ne ende votojmë në rresht në Grupin Parlamentar dhe konsiderohet akt tradhtie çdo votim kundër. Këta bëjnë të gjithë sikur janë bajlozë. Dola nga dera, sepse ngrita zërin. Kam folur brenda aty për këto probleme, jo me ndërkombëtarët, por me Edi Ramën”, deklaroi Spiropali.
Ish-ministrja e Jashtme hodhi akuza edhe për mënyrën se si ushtrohet pushteti në proceset zgjedhore, duke thënë se vota deformohet përmes presionit ndaj qytetarëve, përdorimit të administratës dhe instrumenteve shtetërore.
Ajo vuri në dukje se presioni është veçanërisht i madh në zonat periferike dhe të largëta, ndërsa përmendi edhe përdorimin e tenderave, korrupsionin dhe elementët kriminalë si pjesë të mekanizmave që, sipas saj, ndikojnë në procesin zgjedhor.
“Deformimi fillon nga sistemi elektoral. Deformim të votës ka, sepse forca e pushtetit është aq e madhe, dhe mbi të gjitha në periferitë e largëta, presioni i pushtetit është shumë i madh.
Ka elementë të krimit, korrupsionit, ka elementë të përdorimit të mjeteve të pushtetit, të tenderave dhe shumëçka tjetër në këtë sistem. Edi Rama ka përgjegjësinë si për të parë problematikat, ashtu dhe për t’i ndryshuar ato. Është kryeministri dhe kryetar i PS. Atdheu të mos trajtohet si pronë private”, u shpreh ajo.
Spiropali kërkoi ndryshimin e sistemit elektoral, duke propozuar një sistem proporcional me lista të hapura. Ajo tha se mazhoranca duhet të ishte ulur në dialog me protestuesit dhe t’i kishte dhënë më shumë hapësirë opozitës.
“Ne duhet të uleshim me protestuesit, t’i jepnim hapësirë opozitës, të bënim një reformë zgjedhore me sistem proporcional me lista të hapura”, deklaroi Spiropali.
Ajo theksoi se është në një betejë për ndryshimin e sistemit dhe identifikoi si një nga problemet kryesore modelin e personalizimit ekstrem të pushtetit.





