Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian, duke theksuar se rajoni po hyn në një fazë të re të zgjerimit, me mundësi konkrete për avancimin drejt anëtarësimit në BE.
Në fjalën e saj në përmbyllje të ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, Kos u ndal veçanërisht te perspektiva e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke deklaruar se viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse vendi vijon me zbatimin e reformave, veçanërisht në shtetin e së drejtës, drejtësi dhe mjedis.
“Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë, presim anëtarë të rinj. E vendet më të avancuara janë dy vende të Ballkanit Perëndimor.
Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruaj traktatin e anëtarësimit që verën e ardhshme.
Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë, 2027 mund të jetë viti i Sh, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat, veçanërisht sa i takon shtetit të së drejtës, reformës dhe mjedisit.
Maqedonia po ashtu ka ecur para. Në Serbi, Lista e Studentëve fitoi zgjedhjet me thirrjet e saj për transparencë dhe luftë kundër korrupsionit”, tha Kos.
Kos u shpreh se ekonomia mund të rritet deri në 15% në një periudhë 15-vjeçare, ndërsa njoftoi edhe një mbështetje shtesë prej 200 milionë eurosh për zhvillimin e bizneseve në Ballkanin Perëndimor. Ajo u bëri thirrje investitorëve të shfrytëzojnë mundësitë që ofron rajoni që tani, pa pritur anëtarësimin në BE.
“Përfitimet ekonomike të anëtarësimit në BE mbeten po aq bindëse dhe të rëndësishme edhe sot, mund ta rrisë PBB deri në 15% për një periudhë afro 15 vjeçare dhe nuk mund të kishte kohë më të mirë për të investuar në këtë rajon, sesa sot. Mundësinë ekonomike pritet të rriten.
Përfitimet do të jenë edhe para anëtarësimit. Përmes qasjes së re me integrimin gradual synojmë të hapim dyert për tregjet dhe të zgjerojmë bashkëpunimit. Do të ndërtojmë zinxhir vlerash dhe të ulim varësinë nga pjesë të tjera të botës. Ndërprerjet e fundit në tregtinë globale kanë treguar sesa të cenueshëm jemi kur rrugët e transportit varen nga të tjerët.
Po aq e rëndësishme është edhe korridori 8 në Durrës, që lidh me Maqedoninë, Bullgarinë e më tutje. BE po shton mbështetjen për sektorin privat në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Dy ditët e fundit i keni parë nga afër start-up dhe e keni parë sa të rëndësishme.
Në këtë konferencë do të shtohen edhe 200 milionë euro të tjera për të ndihmuar në krijimin e bizneseve të suksesshme. Mesazhi im për investuesit është i thjesht, Ballkani Perëndimor do të jetë në BE, por mundësitë janë ekzistente që tani, ndaj shfrytëzojeni këtë mundësi”, u shpreh Kos.



























