Pa votat e opozitës, Kuvendi miratoi me 79 vota pro aktin normativ për tubimet, përfshirë edhe pikën që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave dhe zbatimin e së cilës Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar. Në senacën maratonë në Kuvend, me 80 vota pro u miratua edhe akti për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara nga dhuna gjatë protestave.

Vendimi i Kushtetueses për pezullimin e gjobave për bllokimin e rrugëve, u njoftua ndërsa Kuvendi po debatonte prej orësh për dy aktet. Opozita kërkoi që akti për tubimet të tërhiqej nga shqyrtimi dhe të mos hidhej në votim.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të lexohet si një paralajmërim serioz. Ju nuk mund të miratoni me akt normativ atë që Kushtetuta e ndalon”, tha Tedi Blushi.

“A ka mundësi që të ndalojë diskutimi, që një herë të vetme të zbatoni një vendim të Gjykatës Kushtetuese?”, tha Tabaku.

“Dekretet e qeverisë ose miratohen siç janë dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë nen, çka do të thotë se ky dekret i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtohet në Parlament”, tha Berisha.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se vendimi i Kushtetueses prek vetëm zbatimin e pikës për gjobën dhe se Kuvendi mund ta shqyrtonte e ta votonte aktin.

“Është e pavërtetë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e aktit normativ. Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për kalimin e çështjes në seancë plenare për ta shqyrtuar dhe ka pezulluar pikën lidhur me gjobat për bllokimin e rrugës”, theksoi Manja.

Gjykata e mori këtë vendim pasi sipas saj, kjo pikë e Aktit “rezulton të jetë formuluar në terma të përgjithshëm dhe nuk bën dallim nëse ky sanksion zbatohet ndaj pjesëmarrësve në çdo lloj tubimi, pra edhe në ato për të cilat është dhënë autorizimi përkatës. Për këtë shkak ky formulim është i tillë që lejon paqartësi gjatë zbatimit, për rrjedhojë mund të sjellë edhe pasoja serioze dhe të pariparueshme në ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese”.

Gjykatës i ishte kërkuar pezullimi dhe i disa pjesëve të tjera të Aktit Normativ, që nga neni i plotë që vendos kufizime të përkohshme të organizimit të protestave, te neni që parashikon ndërhyrjen kundër thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve apo dhe të pikës që parashikon gjoba nga 10 mijë deri 100 mijë lekë të rinj për pjesëmarrje në tubime të ndaluara, por pjesa tjetër e aktit është në fuqi.