Qytetarët lajmërohen në Debat Plus - këto janë barnat që mungojnë nga lista esenciale
Pavarësisht se disa prej barnave për trajtimin e sëmundjeve malinje janë të përfshira në Listën Esenciale, pacientët me kancer në Kosovë po detyrohen t’i sigurojnë ato me paratë nga xhepi i tyre.
Dy qytetarë kanë ndarë me Televizionin Dukagjini faturat e blerjes së terapive, duke dëshmuar barrën e madhe financiare që përballojnë familjet e tyre në përpjekje për të luftuar sëmundjen.
Ndërkohë, për disa prej këtyre barnave, institucionet shëndetësore kanë kritere të veçanta për përdorimin dhe vazhdimin e trajtimit.
Televizioni i ka anonimizuar emrat e tyre për t’ua mbrojtur të dhënat.
Qytetari E.H ka dërguar shtatë fatura ku ka treguar se ka blerë barna për nënën e tij me kancer. Në mesin e tyre janë edhe ampulat “Calcium folinat”, ilaç ky qe gjendet në listën esenciale të barnave.

Sipas faturave, ai në çdo rast ka blerë këto ampula në vlerë 119 euro, e që në total i bie 833 euro. Madje, sipas qytetarit, nëna e tij ka pas 8 cikle kimioterapi deri tani, por që një faturë e ka humbur.
Qytetari thotë se “Calcium folinat” ka një vit që mungon.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) për Televizionin Dukagjini kanë thënë se kontrata për furnizim me këtë produkt është lidhur ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNDP-së dhe se aktualisht janë në pritje të realizimit të furnizimit me këtë produkt farmaceutik. Por nuk kanë dhënë përgjigje që sa kohë mungon.
Në fatura shihet që qytetari ka blerë edhe “Easy pump”, një pompë me të cilën jepet pjesa e dytë e kimioterapisë, por që nuk gjendet në listën esenciale. Ai ka blerë edhe Ampulat “5 FU”, e cila po ashtu nuk është në listën esenciale, ndonëse tashme është terapi standarde e kimioterapisë në protokollet e trajtimit të sëmundjes.
Qytetari ka blerë edhe “Winged surecan”, një gjilpërë e cila aplikohet për personat që kanë të vendosur një “port cat”, pajisje që vendoset nën lëkurë tek arteria kryesore e gjakut me qëllim të marrjes me të lehtë të kimioterapisë, kur parashihet numër me i madh i cikleve. Por as kjo, nuk gjendet në listën esenciale të barnave.
Në anën tjetër, qytetarit I.P, i cili ka thënë se është me kancer tash e gjashtë vite, thotë se detyrohet të blejë vetë terapinë çdo tre javë që kushton hiç me pak se 3500 euro.

Ai ka dërguar tri fatura ku ka blerë “Pembrolizumab”, i cili gjendet në listën esenciale të barnave.
Por, që në rastin e diagnozës se tij, nuk është e aprovuar dhënien e këtij ilaçi nga lista esenciale.
Lidhur me këtë rast, SHSKUK ka sqaruar se ka kontratë aktive për produktin medicinal ndërsa aktualisht furnizimi me këtë produkt është i rregullt.
Por, ShSKUK-ja, sqaron se ky produkt nga Listën esenciale e barnave është i miratuar vetëm në katër raste për përdorim, dhe atë për trajtimin e disa formave të avancuara të kancerit, përfshirë melanomën malinje, kancerin metastatik mushkërive me qeliza jo të vogla.
Përdorimi i imunoterapisë Pembrolizumab në kombinim me kimioterapi, gjithashtu bëhet për trajtimin e pacientëve me kancer, tumoret e të cilëve shfaqin nivel të caktuar të proteinës PD-L1, e cila ndihmon në përcaktimin e përshtatshmërisë për këtë trajtim, si dhe për trajtimin e një forme shumë të rrallë të kancerit të indeve të buta, në rastet kur kanceri është përhapur në organe të tjera ose kur tumori nuk mund të largohet përmes ndërhyrjes kirurgjike.
Fillimisht janë miratuar katër cikle trajtimi, pas të cilave është i detyrueshëm rivlerësimi klinik dhe diagnostik i pacientëve, për të përcaktuar efektivitetin e terapisë, reagimin e tumorit dhe tolerancën ndaj ilaçit.
“Vazhdimi i trajtimit është i mundur vetëm në rastin e një përgjigje pozitive tumorale ndaj trajtimit (i plotë, i pjesshëm, ose sëmundje e qëndrueshme), deri në progresionin e sëmundjes. Ilaçi futet në terapi në bazë të mendimit të tre mjekëve nga Klinika e Onkologjisë dhe Radioterapisë në Prishtinë (QKUK)”, ka theksuar ShSKUK.
Qytetari I.P ka thënë se ketë terapi do ta marrë në të paktën 10 cikle, ndërsa për të paguar terapinë po i ndihmojnë familjarët dhe miqtë, si dhe tërheqja e parave nga Trusti.
Ndërsa, as pas një jave prej kur televizioni ka dërguar pyetje, Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur nëse do të kompensoj qytetarët të cilët kanë blerë barna nga lista esenciale.
Emisioni Debat Plus, i fton edhe me tej qytetarët që të raportojnë rastet kur detyrohen të blejnë barna nga lista esenciale dhe të cilat mungojnë në institucionet shëndetësore.















