Sot përfundon afati për njoftimin e apelimit të dënimeve ndaj krerëve të UÇK-së

Sot përfundon afati për njoftimin e apelimit të aktgjykimit dënues ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit tashmë ka paralajmëruar kundërshtimin e aktgjykimit të 16 shtatorit, duke i cilësuar dënimet e shqiptuara si të padrejta, raporton KosovaPress.
Ndonëse procedurat e apelimit parashohin afate të përcaktuara për parashtrimet e palëve, ende nuk dihet se kur do të përfundojë i gjithë procesi në Gjykatën e Apelit.
Si zhvillohet procesi i apelimit?
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, palët fillimisht duhet të dorëzojnë njoftimin për apel, në të cilin parashtrohen arsyet e kundërshtimit të aktgjykimit ose dënimit.
Brenda 21 ditësh nga njoftimi për apel, kryegjykatësi ose gjykatësi raportues thërret një konferencë për çështjet që lidhen me procesin e apelimit.
Palët kanë në dispozicion 60 ditë për dorëzimin e dosjes së apelit, ndërsa nëse kundërshtohet vetëm dënimi, afati është 30 ditë.
Kjo procedurë pasohet nga dorëzimi i përgjigjeve dhe kundërpërgjigjeve, për të cilat janë përcaktuar afate të veçanta.
Rregullorja mundëson gjithashtu paraqitjen e provave shtesë, ndërsa Paneli i Apelit mund të caktojë edhe mbajtjen e një seance, nëse e konsideron të nevojshme.
Çfarë mund të vendosë Gjykata e Apelit?
Gjykata e Apelit mund ta lërë në fuqi, ta shfuqizojë ose ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe të urdhërojë rigjykimin e çështjes.
Nëse apelimi bëhet vetëm nga personat e shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë dënim më të rëndë se ai i shkallës së parë.
Aktgjykimi i Apelit duhet të shqiptohet brenda 60 ditësh nga parashtrimi i fundit i palëve, me mundësi të zgjatjes së arsyetuar të afatit deri në 1 muaj.
Sipas ligjit, apelimi mund të mbështetet në 3 baza: gabimet juridike, gabimet faktike që kanë shkaktuar dështimin e drejtësisë dhe gabimet në përcaktimin e dënimit.
Pas vendimit të Apelit, palët mund të ndjekin edhe rrugë të tjera juridike pranë Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, sipas kushteve ligjore përkatëse. /kp/

































