E premte, 27 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Kuvendi miraton buxhetin 2027, 80 vota pro dhe 20 kundër pas 14 orësh debatesh e përplasjesh politike

Kuvendi ka miratuar buxhetin e shtetit për vitin 2027, me 80 vota pro dhe 20 kundër, pas më shumë se 14 orësh debatesh dhe përplasjesh mes mazhorancës dhe opozitës. Buxheti i këtij viti kalon për herë të parë pragun historik të 10 miliardë eurove, ndërsa të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita u rrëzuan.

Seanca plenare u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, ku përveç projektbuxhetit dhe paketës fiskale, një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe akteve normative të qeverisë për tubimet, të njohura si paketa antidhunë.

Deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë nismë, duke argumentuar se ajo kufizon të drejtën kushtetuese për protestë. Nga ana tjetër, mazhoranca mbrojti masat e propozuara, duke theksuar se ato synojnë parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e institucioneve dhe pronës publike e private.

Një tjetër moment që nxiti debate ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dispozitës që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Vendimi solli replika mes deputetëve të opozitës dhe kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, për kompetencat e Kuvendit në vijimin e shqyrtimit të akteve normative.

Reklamë

Gjatë seancës pati edhe përplasje të drejtpërdrejta mes deputetëve. Sali Berisha shkëmbeu replika me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, si dhe me deputetin socialist Erion Braçe. Ndërkohë, Ulsi Manja u përfshi në debate me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe deputetin Erald Kapri.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca vijoi procedurën parlamentare deri në votimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027. Në momentin e votimit, kryeministri Edi Rama nuk ndodhej në sallën e Kuvendit.

Miratimi i buxhetit vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa vëmendja pritet të zhvendoset te protesta e paralajmëruar nga opozita më 28 nëntor.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.