Temperaturat mesatare globale kanë qenë mbi 2 gradë Celsius më të larta se nivelet paraindustriale për shtatë ditë radhazi, për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve, ka konfirmuar për agjencinë dpa Shërbimi i BE-së për Klimën, Copernicus.
Temperaturat nga data 18 deri më 24 nëntor ishin më shumë se 2 gradë mbi mesataren e regjistruar për të njëjtat ditë gjatë periudhës 1850–1900.
"Kjo nuk është e njëjta gjë me tejkalimin e pragut afatgjatë prej 2°C të Marrëveshjes së Parisit, por është një paralajmërim i qartë se drejt çfarë situate po shkon klima jonë", tha Samantha Burgess, përgjegjëse strategjike për klimën në Copernicus.
Përpara këtij muaji, ky prag ishte tejkaluar vetëm në gjashtë ditë të veçanta: katër ditë në shkurt të vitit 2024 dhe dy ditë në nëntor të vitit 2023. Ai ishte tejkaluar gjithashtu edhe në tri ditë të veçanta më herët gjatë këtij nëntori, përpara periudhës së fundit shtatëditore.
Komuniteti ndërkombëtar kishte synuar ta kufizonte ngrohjen globale në 1,5 gradë, me qëllim shmangien e pasojave më të rënda të ndryshimeve klimatike. Megjithatë, një raport i Kombeve të Bashkuara ka arritur në përfundimin se tejkalimi i këtij pragu, të paktën përkohësisht, tashmë është i pashmangshëm.
Temperaturat e larta aktuale po shkaktohen jo vetëm nga ngrohja globale, por edhe nga fenomeni klimatik El Niño, i cili, sipas pritshmërive të Organizatës Botërore Meteorologjike, do të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm.
"El Niño do të vijë dhe do të largohet; ngrohja bazë e shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë nuk do të largohet, përveç rastit kur ne i ulim këto emetime", tha Burgess./DPA News
© SYRI.net