Abissnet Superiore në RTSH/ Tirana pret sot Skënderbeun, në mbrëmje derbi Dinamo-Partizani

Abissnet Superiore | 2 minuta më parë

Java e 13-të e kampionatit nis në 13:30 në “Selman Stërmasi”, në orën 18:30 zhvillohet sfida mes dy skuadrave kryeqytetase në “Elbasan Arena”.

Pas emocioneve që dhuroi mbrëmë Egnatia në Conferencë League, me fitoren e parë në fazën e ligës, futbolli elitar shqiptar vazhdon sot me dy nga ndeshjet e javës së 13-të të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH.

Java hapet me ndeshjen Tirana-Skënderbeu, që luhet në orën 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Bardheblutë, me shumë luhatje dhe në mesin e tabelës me 16 pikë, kanë një mundësi të mirë për të bërë një hap të rëndësishëm përpara. Skënderbeu vjen në një moment shumë të mirë, pasi nuk njeh humbje javët e fundit. Pritet të jetë një përballje e luftuar.

E tillë parashikohet edhe sfida mes Dinamos dhe Partizanit, që zhvillohet në orën 18:30 në “Elbasan Arena”. Jo vetëm për faktin se është një derbi, mbi të gjitha sepse të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë. Dinamo po kalon një krizë rezultatesh, 2 humbje dhe 2 barazime në javët e fundit, që është reflektuar edhe në tabelën e renditjes.

Blutë nuk do të kenë përsëri trajnerin Ilir Daja, i dënuar me 5 ndeshje nga Disiplina dhe që nuk mund ta shlyejë gjysmën e dytë të dënimit me pagesë. Alhasan khehet nga skualifikimi, ndërsa Qardaku mungon për shkak dëmtimi.

Partizani në anën tjetër kërkon të largohet nga vendi i fundit në tabelë dhe nuk ka çfarë të humbasë. Të kuqtë vijnë pas humbjes me Vllazninë dhe me rikthimin e disa lojtarëve të rëndësishëm pritet të reagojnë në ndeshjen e sotme. Partizani ka një problem me finalizimin, siç pohoi edhe trajneri Karoglan në konferencë shtypi. Derbi nuk ka asnjëherë favoritë dhe në sfidën e sotme humbja është e ndaluar për të dyja skuadrat.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme