Kuvendi miratoi në mesnatë buxhetin e vitit 2027 dhe ligjet e Paketës Fiskale. Gjatë seancës u rrëzua propozimi i Komisionit të Ekonomisë për TVSH 6% për ujin e ambalazhuar.
Po ashtu, u miratua amendamenti i deputetes së PS-së, Briseida Çakëri, për shtyrjen deri në dhjetor 2029 të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet me 4-5 yje që operojnë me brende ndërkombëtare.
Paketa fiskale e vitit 2027 sjell ndryshime në tatimin e bizneseve, konsumin, turizmin dhe taksimin e automjeteve.
Masat kryesore përfshijnë rritjen e tatimit mbi dividendin, uljen e pragut të regjistrimit në TVSH, ndryshimin e normës standarde të TVSH-së dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve. Gjatë shqyrtimit parlamentar, paketa pësoi ndryshime, duke parashikuar trajtim të diferencuar fiskal për kategori të caktuara biznesesh, fermerët dhe prodhuesit vendas të duhanit.
Pragu i TVSH-së ulet në 5 milionë lekë
Nga 1 janari 2027, pragu minimal i regjistrimit të detyrueshëm në TVSH ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Regjistrimi do të bëhet duke marrë parasysh qarkullimin e realizuar gjatë vitit 2026. Ndryshimi zgjeron numrin e bizneseve që përfshihen në skemën e TVSH-së, duke shtuar detyrimet administrative dhe tatimore për sipërmarrjet e vogla. Për fermerët, pragu i regjistrimit në TVSH do të mbetet 10 milionë lekë. TVSH-ja standarde rritet në 21%, ushqimet bazë me 6% Norma standarde e TVSH-së rritet nga 20% në 21%, ndërsa për një kategori produktesh të shportës ushqimore parashikohet norma e reduktuar prej 6%.
Në variantin fillestar të paketës fiskale, qeveria parashikonte uljen e TVSH-së për 54 produkte të konsumit bazë.
Gjatë shqyrtimit parlamentar u diskutua edhe zgjerimi i listës me produkte të tjera, përfshirë produktet higjienike për gratë dhe foshnjat.
Uji i ambalazhuar nuk do të përfitojë nga norma e reduktuar e TVSH-së, por do të tatohet me normën standarde prej 21%.
Dividendi rritet nga 8% në 15%
Një nga ndryshimet më të rëndësishme për sipërmarrjen është rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Norma e re do të zbatohet për fitimet e shpërndara nga 1 janari 2027. Për çdo 1 milion lekë dividend të tatueshëm, aksionerët do të paguajnë 150 mijë lekë tatim, nga 80 mijë lekë që paguajnë aktualisht. TVSH-ja për hotelet rritet në 10%, zgjaten lehtësitë fiskale Sektori i turizmit do të përballet me rritjen e TVSH-së për shërbimet e akomodimit nga 6% në 10%.
Nga ana tjetër, Kuvendi miratoi zgjatjen deri në vitin 2029 të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për strukturat akomoduese që plotësojnë kriteret ligjore për trajtim të veçantë fiskal.
Ndryshon tatimi mbi pagat
Paketa fiskale parashikon rishikimin e fashave të tatimit progresiv mbi të ardhurat nga punësimi. Kufiri mujor mbi të cilin aplikohet norma tatimore prej 23% zhvendoset nga 200 mijë në 300 mijë lekë, ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj parashikohet një normë më e lartë tatimore. Ndryshimet synojnë të reduktojnë barrën tatimore për një pjesë të punonjësve me të ardhura mesatare dhe të rrisin tatimin për individët me paga të larta.
Hiqet taksa e qarkullimit nga karburantet
Nga viti 2027 ndryshon modeli i taksimit të automjeteve dhe karburanteve. Taksa e qarkullimit, që aktualisht aplikohet mbi çdo litër benzinë dhe naftë të konsumuar, hiqet nga karburantet. Në vend të saj, barra fiskale zhvendoset te taksat vjetore të automjeteve. Sipas ndryshimeve të miratuara, taksat vjetore të automjeteve do të rriten mesatarisht dyfish.
Kjo ndryshon mënyrën e taksimit të drejtuesve të automjeteve, duke kaluar nga një detyrim i lidhur me sasinë e karburantit të konsumuar te një detyrim vjetor që lidhet me zotërimin e automjetit. Efekti financiar për qytetarët dhe bizneset do të varet nga kilometrat e përshkuar, konsumi i karburantit dhe kategoria e automjetit.
Ruhet akciza e diferencuar për duhanin vendas
Një tjetër ndryshim i paketës fiskale lidhet me trajtimin tatimor të prodhimit vendas të duhanit. Akciza e duhanit të prodhuar në Shqipëri do të vijojë të jetë e diferencuar në raport me importin dhe nuk do të barazohet me nivelin e akcizës së cigareve.
Ndryshime edhe në procedurat tatimore
Paketa fiskale përfshin gjithashtu ndërhyrje në legjislacionin për procedurat tatimore, me ndryshime që lidhen me mbledhjen e detyrimeve tatimore, parapagimet, pagesat me para në dorë dhe procedurat e çregjistrimit të bizneseve.
Në tërësi, ndryshimet fiskale të vitit 2027 prekin një spektër të gjerë të ekonomisë, nga konsumi familjar dhe të ardhurat nga punësimi, deri te shpërndarja e fitimeve, aktiviteti i biznesit, turizmi, bujqësia dhe transporti.












