Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi miraton paketën antidhunë, 79 vota pro aktit për tubimet dhe 80 për dëmshpërblimin



Kuvendi ka miratuar dy aktet normative të qeverisë, pjesë e paketës antidhunë, pas debateve dhe përplasjeve të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.

Akti normativ nr. 5, që parashikon ndryshime në ligjin për tubimet, u miratua me 79 vota pro dhe 21 kundër. Ndërsa akti normativ nr. 6, që lidhet me shpërblimin e dëmit civil ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave, mori 80 vota pro dhe 20 kundër.

Diskutimet në seancën plenare u shoqëruan me akuza dhe kundërakuza mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe opozitës. Në qendër të përplasjes ishte edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pikës që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave.

Deputetët e opozitës kërkuan ndërprerjen e shqyrtimit të aktit normativ, me argumentin se Kuvendi nuk mund të vijonte procedurat për një akt që ishte pjesërisht i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e cilësoi vendimin e Kushtetueses si një paralajmërim serioz për qeverinë, duke theksuar se e drejta për protestë nuk mund të kufizohet përmes gjobave.

Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi ndalimin e diskutimeve, duke argumentuar se aktet normative prekin të drejtat themelore të qytetarëve dhe se mazhoranca duhet të respektojë vendimin e gjykatës.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, hodhi poshtë pretendimet e opozitës. Ai sqaroi se Gjykata Kushtetuese nuk kishte pezulluar të gjithë aktin normativ, por vetëm pikën që lidhet me gjobat për bllokimin e rrugëve. Sipas tij, Kuvendi kishte kompetencën kushtetuese për të vijuar shqyrtimin dhe miratimin e aktit brenda afatit 45-ditor.

Debati u zhvillua edhe në sfondin e protestave të fundit në Tiranë, ku mazhoranca akuzoi opozitën për nxitje të dhunës dhe mungesë distancimi nga sulmet me molotovë ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se gjatë protestave janë ndaluar mbi 200 të mitur dhe se, nga më shumë se 300 persona të lënduar, mbi 200 kanë qenë punonjës policie. Ai bëri të ditur se janë pezulluar nëntë punonjës policie, ndërsa 50 raste të tjera po shqyrtohen administrativisht për tejkalim të kompetencave.

Demo i kërkoi opozitës të distancohej nga dhuna, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi përfshirjen e Partisë Demokratike në organizimin e grupeve që ushtruan dhunë gjatë protestave.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, akuzoi PD-në se kishte strehuar në selinë e saj personat që hodhën molotovë ndaj policisë. Ai solli në vëmendje edhe ngjarjet e 21 janarit 2011, duke kërkuar hetimin e të gjithë zinxhirit komandues për vrasjen e katër protestuesve.

Nga ana tjetër, opozita akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe mungesë përgjegjësie për veprimet e punonjësve të uniformave blu që, sipas saj, kanë ushtruar dhunë.

Gjatë seancës nuk munguan as përplasjet personale. Sali Berisha u përfshi në debate me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, dhe deputetin socialist Erion Braçe, ndërsa Ulsi Manja shkëmbeu akuza me Agron Shehajn dhe Erald Kaprin.

Në përfundim, mazhoranca mbrojti qëndrimin se aktet normative nuk cenojnë të drejtën për protestë paqësore, por synojnë të ndëshkojnë aktet e dhunës, dëmtimin e pronës dhe sulmet ndaj institucioneve.

Ndërkohë, pika që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve mbetet e pezulluar deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.