
Ëndrra e miliona tifozëve të futbollit për të parë Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon me të njëjtën fanellë mund të bëhet realitet. Një mundësi e tillë ka lindur pas konfirmimit të pjesëmarrjes së yllit argjentinas në ndeshjen e lamtumirës së Carlos Tevez, e planifikuar të zhvillohet më 20 dhjetor në stadiumin legjendar “La Bombonera”, në Buenos Aires.
Ka qenë vetë ish-sulmuesi argjentinas ai që ka zbuluar lajmin gjatë një interviste për televizionin “TyC Sports”. Tevez konfirmoi se Lionel Messi, ish-shoku i tij i skuadrës në përfaqësuesen argjentinase, ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje speciale.
Megjithatë, vëmendja është përqendruar te Cristiano Ronaldo. Tevez bëri të ditur se është në pritje të përgjigjes së portugezit, të cilit i ka dërguar gjithashtu një ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës.
Nëse Ronaldo konfirmon pjesëmarrjen, atëherë mund të realizohet një moment historik: dy prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë së futbollit do të luanin për herë të parë në të njëjtin ekip, pas më shumë se një dekade rivaliteti të drejtpërdrejtë për dominimin e futbollit botëror.
Përveç dy yjeve, në këtë event pritet të marrin pjesë edhe emra të tjerë të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar, si portieri italian Gianluigi Buffon, legjenda argjentinase Juan Román Riquelme dhe ish-mbrojtësi anglez Rio Ferdinand.
Carlos Tevez, tashmë 42 vjeç, ka pasur mundësinë të ndajë fushën me të dy superyjet gjatë karrierës së tij. Me Cristiano Ronaldon luajti te Manchester United, ndërsa me Messin ishte pjesë e kombëtares së Argjentinës, ku u aktivizuan së bashku në disa kompeticione madhore, përfshirë Kupën e Botës 2010 dhe Kupën e Amerikës 2011.
Ish-sulmuesi e mbylli karrierën si futbollist në qershor të vitit 2022, me fanellën e Boca Juniors. Me skuadrën argjentinase ai kishte fituar më herët trofe të rëndësishëm, përfshirë Copa Libertadores dhe Kupën Ndërkontinentale në vitin 2003.
Ndërkohë, Messi pritet të rikthehet në Argjentinë edhe më 19 janar, kur Inter Miami do të përballet me River Plate në një ndeshje miqësore në Buenos Aires. Tashmë, sytë janë te përgjigjja e Cristiano Ronaldos. Një “po” nga ylli portugez do ta kthente lamtumirën e Tevezit në një spektakël të jashtëzakonshëm, duke bashkuar në të njëjtin ekip dy rivalët që kanë shënuar një epokë të tërë në futbollin botëror.
