Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) është goditur nga një sulm kibernetik, që ka detyruar drejtuesit të pezullojnë përkohësisht funksionimin e platformës AFP Forum. Përmes kësaj platforme, abonentët aksesojnë, kërkojnë dhe shkarkojnë materialet gazetareske të agjencisë.
Pas konstatimit të incidentit, ekipet teknike ndërhynë për të kufizuar pasojat, ndërsa platforma u shkëput nga rrjeti si masë paraprake. AFP njoftoi se shërbimi do të qëndrojë jashtë funksionit deri në një njoftim të dytë, ndërsa abonentëve u janë ofruar alternativa për të marrë përmbajtjen.
Drejtuesit konfirmuan se për ngjarjen ka nisur një hetim me ndihmën e ekspertëve të jashtëm, por deri tani nuk dihet se kush qëndron pas sulmit. Incidenti ndodh në një kohë kur Franca dhe vende të tjera evropiane po përballen me rritje të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve dhe kompanive private.
Autoritetet franceze të sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar më herët për një nivel të paprecedentë kërcënimesh, ku disa sulme synojnë përfitime financiare, ndërsa të tjera destabilizimin e institucioneve. Hetimet vijojnë, ndërsa AFP nuk ka dhënë ende një datë se kur platforma do të rikthehet në funksion.













