I ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, Azmi Stringa, ekspert ekonomie, ka ngritur shqetësimin për pasojat e politikave ekonomike dhe zhvlerësimit të euros në ekonominë shqiptare, duke vënë në pikëpyetje edhe ndërhyrjet masive të Bankës së Shqipërisë.
Stringa u shpreh se vetëm gjatë viteve 2024, 2025 dhe gjysmës së parë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 1.83 miliardë euro për të frenuar forcimin e lekut.
Eksperti theksoi se ndërsa qeveria Rama paraqet rënien e euros si një faktor që ul borxhin publik në raport me PBB-në, në ekonominë reale pasojat janë të rënda.
Stringa vuri në pikëpyetje edhe justifikimin e guvernatorit për ndërhyrjet në tregun valutor, duke kërkuar të dihet se përse duhet të përshtaten bizneset me një realitet që po i dëmton rëndë.
“Nëse Shqipëria është një vend me kurs të lirë këmbimi, çfarë nevoje ka Banka e Shqipërisë për të ndërhyrë?”, ishte pyetja e ekspertit.
Pjesë nga intervista:
Ashtu siç qeveria shqiptare, për shembull, nëse keni parasysh, mban borxhin edhe në lekë, edhe në valutë, që është ai borxhi publik i famshëm, nga njëra anë, kur bie kursi, qeveria shqiptare po deklaron tani një borxh publik më të ulët si përqindje të GDP-së, që vjen si rezultat i kursit, por nga ana tjetër, çfarë kemi? Kemi efektin e kundërt. Banka e Shqipërisë, që mban euro, tregon një rezultat negativ, se valuta që mban në bilancin e saj është zhvlerësuar kur konvertohet në lekë. Pra, në njëfarë mënyre, ai fitim që ne kemi, tregohet që borxhi publik akoma ulet, por, nga ana tjetër, e vuan bilanci i Bankës së Shqipërisë.
Ajo çfarë është më shqetësuese, kjo shifër çfarë tregon? Ka të bëjë jo vetëm me luhatjen e madhe të euros, por edhe me sasinë e madhe të ndërhyrjeve që Banka e Shqipërisë ka bërë.
Vetëm nga viti 2024, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në rreth 1.83 miliardë euro, ka blerë, vetëm për të frenuar forcimin e mëtejshëm të lekut, pa futur këtu blerjet që bëmë për rezervën valutore.
Në 2024, rreth 300 milionë euro u blenë për rezervën, kurse 650 milionë euro u blenë vetëm për të frenuar kursin.
Në 2025, 300 milionë euro për rezervën, kurse 730 milionë euro për të frenuar kursin.
Në 2026, 187 milionë euro për rezervën deri në gjashtëmujorin e parë, kurse gati 500 milionë euro për të frenuar kursin.
Pra, vetëm në këtë hark kohor kemi 1.83 miliardë euro të injektuara nga Banka e Shqipërisë, që është emetuar para dhe më pas është blerë euro, për të frenuar kursin nga rënia e tij.
Sipas Bankës së Shqipërisë, nëse Banka e Shqipërisë nuk do ta kishte bërë këtë ndërhyrje, kursi do të binte edhe më shpejt. Pra, kështu po e justifikon Banka e Shqipërisë.
Tani lind pyetja: në qoftë se Shqipëria është një vend me kurs të këmbimit të lirë, siç deklarohet, dhe i mbështetur nga themelet e sakta ekonomike, çfarë nevoje ka Banka e Shqipërisë për të ndërhyrë?
Unë e dëgjova me vëmendje guvernatorin, që tha se kjo ndërhyrje që po bëjmë ne ishte një argument i dobët, se tha: “T'u japim kohë bizneseve të përshtaten me realitetin e ri”. Kjo është një argument që nuk qëndron, se lind pyetja: për çfarë duhet të përshtaten, për çfarë po vuajnë?
E dimë shumë mirë që rënia e këtij kursi në këto nivele po shkakton pasoja të jashtëzakonshme në ekonominë reale, përfshirë sektorët kryesorë, që janë bujqësia, edhe sektorë të tjerë, të cilët po vuajnë në mënyrë të jashtëzakonshme.
© SYRI.net