Diaspora shqiptare paralajmëron tubime në Tiranë dhe Köln për festat e nëntorit

Diaspora shqiptare në Gjermani ka bërë thirrje për mobilizimin e shqiptarëve për pjesëmarrje në dy protesta, të paralajmëruara për 28 nëntor në Tiranë dhe 29 nëntor në qytetin gjerman të Kölnit.
Përmes një postimi në Facebook, faqja “Zëri i Diasporës Shqiptare në Köln” ka shpërndarë thirrjen për pjesëmarrje në këto tubime, duke kërkuar që mesazhi të shpërndahet sa më shumë në mesin e komunitetit shqiptar, shkruan Telegrafi.
Sipas njoftimit, protesta në Köln është paralajmëruar të mbahet të dielën, më 29 nëntor, duke filluar nga ora 15:00 në sheshin “Breslauer Platz”.
Ndërkaq, një ditë më parë, më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit Kombëtar, është paralajmëruar një tubim në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke filluar nga ora 10:00.
“Sot nuk është koha për të heshtur dhe as për të qëndruar larg! Zemra e kombit thërret bijtë e saj nga çdo cep i botës”, thuhet në thirrjen e publikuar në rrjetet sociale.
Përmes këtij mesazhi, shqiptarët që jetojnë në diasporë ftohen të marrin pjesë së bashku me familjarët dhe miqtë e tyre, duke mbajtur flamuj kombëtarë.
“Le ta mbushim Tiranën dhe zemrën e Evropës me ngjyrat kuq e zi, me zërin dhe unitetin tonë. Nuk ka rëndësi krahina apo largësia, flamuri që na mbulon është një i vetëm”, thuhet më tej në njoftim.
Thirrja për pjesëmarrje në këto tubime vjen në prag të festave të nëntorit, me mesazhe për unitetin dhe bashkimin e shqiptarëve, pavarësisht vendit ku jetojnë.
Megjithatë, në njoftimin e shpërndarë nuk specifikohet qëllimi konkret i protestave dhe as identiteti i organizatorëve të tyre./Telegrafi/


































