Samiti i “Growth Plan”, Rama: Moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor. Qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani nga tregu i përbashkët i BE

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Ballkani Perëndimor nuk mund të presë deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian për të përfituar nga mundësitë ekonomike dhe integruese, duke kërkuar që qytetarët dhe bizneset e rajonit të përfitojnë gradualisht që tani. Gjatë Samitit të “Growth Plan” në Tiranë, Rama e cilësoi këtë proces si vendimtar për të ardhmen e rajonit dhe të vetë Europës, ndërsa theksoi se Plani i Rritjes lidh angazhimet politike me investimet dhe rezultatet konkrete.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se konvergjenca mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian është rritur vitet e fundit, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Sipas tij, integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, pa pritur përfundimin e procesit të anëtarësimit.
“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në takimin që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë zgjidhjet përpara. Ky është një moment mjaft vendimtarë për Ballkanin Perëndimor dhe për secilin prej vendeve të ulur në tryezë dhe po ashtu edhe për vetë Europën. Ne kemi qenë absolutisht entuziastë për nisjen e këtij procesi dhe në një farë mënyrë vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në 3 dimensione: reformat, konvergjencë ekonomike dhe kohezion rajonal
Ai lidh angazhimet politike, investime për rezultate hyrje në treg. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që sa i takon Ballkanit perëndimor dhe BE nuk mund të presë deri në anëtarësim dhe në fakt na duhet të themi që vitet e fundit, konvergjenca midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE po rritet, por ka ende shumë rrugë përpara për të bërë. Ne kemi qenë avokatë të idesë që qytetarët tanë nuk duhet të presin që të përfitojnë nga mundësi më të mira. Bizneset tona nuk duhet të presin të bëhen pjesë e zinxhirit të vlerës në BE. Qytetarët tanë duhet të përfitojnë që tani gradualisht”, tha Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se procesi i integrimit kërkon angazhim dhe rezultate konkrete në zbatimin e reformave, duke nënvizuar se Bashkimi Europian është njëkohësisht partner në mbështetjen e vendeve të rajonit dhe kërkues për përmbushjen e detyrimeve. Më tej, kreu i qeverisë e cilësoi Bashkimin Europian një partner të pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, veçanërisht në procesin e transformimit institucional dhe shtetndërtimit.
“Megjithatë sigurisht jemi të vetëdijshëm që asgjë nuk është e mirëqenë dhe se BE është po kaq i prirur të na ndihmojë të përmirësohemi saç është i prirur të na bjerë me çekiç kokës për të dhënë rezultate me reforma. Është një marrëdhënie ku progresi sjell më shumë pjesëmarrje. Dua të theksoj bindjen time të fortë që për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet ulur rreth tryezës, është bekim të kesh BE, si një bashkudhëtar të ngushtë në rrugën e transformimit dhe shtetndërtimit që në të kundërt do të kishte qenë e pamundur për ne për shkak të traditës shumë të varfër të shtetit dhe institucioneve”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



