Shpërthime janë regjistruar gjatë natës së 27 nëntorit në qytetin Efremov, në rajonin Tula të Rusisë, ku dyshohet se objektiv i sulmit kanë qenë një fabrikë e gomës sintetike dhe një termocentral lokal.

Për ngjarjen fillimisht raportoi mediumi i pavarur rus ASTRA.


Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, fabrika në Efremov prodhon materiale që përdoren për prodhimin e karburantit të ngurtë për raketa, përfshirë edhe ato të tipit Iskander.

Mediumi ASTRA, pas analizimit të pamjeve filmike, konfirmoi se një shpërthim kishte ndodhur në fabrikën e gomës sintetike. Gjithashtu, shpërthime u regjistruan edhe në termocentralin e Efremovit, i cili furnizon me energji elektrike dhe ngrohje qytetin dhe objektet industriale, përfshirë fabrikën në fjalë.

Banorët lokalë raportuan ndërprerje të furnizimit me ngrohje pas shpërthimeve.

Guvernatori i rajonit Tula, Dmitry Milyayev, njoftoi në Telegram se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar katër dronë ukrainas mbi këtë rajon, ndërsa paralajmëroi se rreziku nga sulmet e tjera vazhdonte.

Ai deklaroi se nuk kishte viktima dhe se, sipas informacioneve fillestare, nuk ishte konstatuar dëme në infrastrukturë.

Megjithatë, guvernatori pranoi se mbetjet e dronëve të rrëzuar kishin dëmtuar dritaret e tri shtëpive private në rajonin e Efremovit. Ai nuk përmendi shpërthimet në objektet industriale. /Telegrafi/