
Në Pallatin e Brigadave janë mbledhur kryeministri Edi Rama, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, si dhe drejtues të tjerë të vendeve të rajonit, mes tyre kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Takimi zhvillohet nën temën “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”, ndërsa diskutimet përqendrohen te përmbushja e reformave të kërkuara, zbatimi i mekanizmave të Planit të Rritjes dhe integrimi gradual ekonomik i vendeve të rajonit në Bashkimin Europian.
Në nisje të samitit, kryeministri Rama e cilësoi periudhën aktuale si një moment vendimtar për Ballkanin.
“Jemi mbledhur këtu për Planin e Rritjes, në një takim që na jep mundësinë të vlerësojmë progresin e arritur dhe të shqyrtojmë sfidat që kemi përpara.
Nuk ka asnjë dyshim se ky është një moment vendimtar për Ballkanin Perëndimor, por edhe një moment tejet i rëndësishëm për Evropën.
Ne e kemi mirëpritur me entuziazëm nisjen e këtij procesi të ri, i cili, në njëfarë mënyre, vuri në lëvizje një qasje të re ndaj integrimit gradual dhe na bashkon rreth tri dimensioneve kryesore: reformave, konvergjencës ekonomike dhe kohezionit rajonal.
Duhet të theksojmë se, gjatë viteve të fundit, konvergjenca ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian është rritur. Megjithatë, mbetet ende shumë për të bërë.
Ne të gjithë kemi mbrojtur qëndrimin se qytetarët tanë nuk duhet të presin deri në anëtarësimin e plotë për të përfituar nga integrimi në tregun e përbashkët. Ata duhet të fillojnë të gëzojnë që tani, në mënyrë graduale, të drejtat dhe përfitimet që gëzojnë qytetarët e BE-së.
Jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë. Bashkimi Evropian është po aq i gatshëm të na mbështesë, sa edhe të kërkojë prej nesh rezultate konkrete dhe zbatimin e reformave.
Kjo është një marrëdhënie në të cilën progresi sjell më shumë pjesëmarrje, ndërsa gatishmëria për të ecur përpara krijon më shumë mundësi”, tha Rama.
