Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për avancimin e procesit të integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke kërkuar që qytetarët e rajonit të përfitojnë nga mundësitë e Tregut të Përbashkët Europian përpara anëtarësimit të plotë.
Gjatë tryezës së përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi këtë fazë si një moment vendimtar jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për të ardhmen e Europës.
Duke u ndalur te Plani i Rritjes, Rama theksoi se kjo nismë mbështetet në tri shtylla kryesore: zbatimin e reformave, afrimin ekonomik me Bashkimin Europian dhe forcimin e kohezionit rajonal.
Sipas kryeministrit, pavarësisht progresit të arritur gjatë viteve të fundit, hendeku ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian mbetet ende i konsiderueshëm.
Rama nënvizoi se integrimi ekonomik nuk duhet të kushtëzohet nga përfundimi i procesit të anëtarësimit, ndërsa shtoi se vendet e rajonit duhet të vijojnë përmbushjen e reformave dhe detyrimeve ndaj BE-së.
“Jemi të vetëdijshëm se konvergjenca sa i takon Ballkanit Perëndimor dhe BE nuk mund të presë deri në anëtarësim. Vitet e fundit konvergjenca mes gjashtëses së Ballkanit Perëndimor dhe BE po rritet, megjithatë ka shumë rrugë për të bërë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Europian duhet të shoqërohet me rezultate konkrete nga vendet aspirante.
“Kemi qenë avokatë se qytetarët nuk duhet të presin, që të korrin përfitimet e integrimit nga tregu i përbashkët duhet të përfitojnë që tani. Por sigurisht jemi të vetëdijshëm se asgjë nuk është e mirëqenë dhe BE është i prirur të na ndihmojë të përmirësohemi po aq sa të na bjerë me çekiç kokës për të dhënë rezultate dhe reforma”, deklaroi kryeministri.
