Dje, më 26 nëntor 2026, në Wiener Neustadt, në Landin e Austrisë së Ulët (Niederösterreich), u inaugurua Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë.
Pas konsultimeve me personalitete dhe përfaqësues të institucioneve qendrore austriake, Ambasadorit të Shqipërisë, Fate Velaj, iu rekomandua përzgjedhja e Dr. Bernhard Müller si Konsull Nderi.
Dr. Müller është ish-kryetar i Bashkisë së Wiener Neustadt-it dhe ushtron edhe funksione të tjera të rëndësishme publike.
Në ceremoninë inauguruese përshëndetën Kancelari Federal i Austrisë, Christian Stocker, Sekretarja e Shtetit, Ulrike Königsberger-Ludwig, si dhe anëtari i Qeverisë së Landit të Austrisë së Ulët, Sven Hergovich.
Në vijim të ceremonisë, Ambasadori Velaj vlerësoi edhe dy personalitete shqiptare të kësaj krahine, Dr. Danjel Koni dhe Dr. Aurel Toma, dy mjekë të talentuar, të cilët kanë ndërtuar një emër të respektuar në shoqërinë austriake.
Në emër të Ambasadës së Shqipërisë, atyre iu dorëzuan Certifikata dhe Medalja e Mirënjohjes.
Me hapjen e këtyre dy konsullatave, Shqipëria tashmë përfaqësohet në Austri nga tre Konsuj Nderi:
-Mariane Graf, e cila angazhohet për promovimin e traditës dhe kulturës, si dhe për ndihmën sociale.
-Augustin Perner, i cili angazhohet në fushën e pastërtisë, teknologjisë mjedisore dhe mbrojtjes së ambientit.
-Dr. Bernhard Müller, me fokus në politikat e pushtetit vendor dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve lokale.













