SHKODER- Një sasi lënde plasëse, dyshohet tritol, është gjetur e pashpërthyer mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Shkodrës. Lënda plasëse është konstatuar në portën e jashtme të banesës së Emiljan Gjonajt, në lagjen "Mark Lula".

Pas konstatimit të saj, është njoftuar policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë. 

Zona është vënë nën kontroll, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe ekspertët gjenio për trajtimin e lëndës plasëse, me qëllim shmangien e çdo rreziku për banorët dhe personat që ndodheshin pranë objektit.

Emiljan Gjonaj sipas burimeve nga vendngjarja merret me ndërtim dhe aktualisht po ndërton një pallat në lagjen "Mark Lula". Ka dyshime se ngjarja lidhet pikërisht me ndërtimet.

Fakti që lënda plasëse nuk ka shpërthyer ka shmangur pasojay, ndërsa mbetet për t'u zbardhur se si është vendosur ajo në portën e jashtme të banesës dhe kush fshihet pas këtij veprimi kriminal.

Policia po heton rrethanat e ngjarjes, ndërsa një nga pistat është se vendosja e tritolit ka qenë një kërcënim.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar që nuk janë zbuluar ende.