Me 4 thasë me kanabis në makinë, policia vë në pranga 2 persona
Dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Lezhës, pasi u kapën duke transportuar 40.3 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis, me qëllim shitjen e saj në qytetin e Laçit.
Të arrestuarit janë identifikuar si Hermes Mihana, 25 vjeç, banues në Malbardhë të Kurbinit, dhe Hidajet Karaj, 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Ata u ndaluan në kuadër të operacionit policor të koduar “Storm”.
Ndërhyrja e policisë u krye në rrugën e fshatit Selitë, ku efektivët ndaluan për kontroll një automjet tip “Mitsubishi”, me të cilin udhëtonin dy personat.
Gjatë kontrollit të automjetit, uniformat blu zbuluan katër thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Pas peshimit, rezultoi se sasia e sekuestruar ishte 40.3 kilogramë kanabis.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se Mihana dhe Karaj e kishin siguruar lëndën narkotike në fshatin Mafsheq, në zonën e Malësisë së Krujës, dhe po e transportonin drejt Laçit, ku synonin ta shisnin.
Përveç drogës, gjatë operacionit policia sekuestroi edhe një peshore manuale, automjetin tip “Mitsubishi” dhe një aparat celular, të cilat do t’i nënshtrohen procedurave përkatëse hetimore.
Dy të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



